Opozita organizoi protestën e radhës para godinës së seancave plenare të Kuvendit, duke i qëndruar besnike vendimit për të mbledhur mbështetësit e saj sa herë që mazhoranca mbledh Parlamentin. Protesta nisi në orën 09:30 dhe ka vazhduar deri rreth orës 13.15 për t’u mbyllur te selia e Partisë Demokratike. Nuk kanë munguar përplasjet me policinë dhe tentativat për të thyer kordonin.
Policia dhe Garda e Republikës përforcuan masat e sigurisë jo vetëm tek Kuvendi, por edhe para Kryeministrisë, për të mos u gjendur e papërgatitur përballë një zhvendosjeje të mundshme të protestës nga ana e opozitës.
Teksa janë ndalur tek Ministria e Brendshme, disa protestues kanë lyer me bojë të zezë fasadën e ministrisë.
Rreth Kryeministrisë ka qenë i vendosur një perimetër me gardh metalik. Në protestat e shkuara të këtij lloji nuk kanë munguar përplasjet mes mbështetësve të opozitës dhe policisë. Kjo e fundit ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa me ujë për të shpërndarë turmën.
Protesta u mbyll edhe këtë herë në selinë e PD-së, me fjalën e kryedemokratit Basha dhe në fund me himnin kombëtar. Kreu i PD-se, deklaroi se nuk ka zgjedhje me Ramën e as pakt me “Maduron e Ballkanit”.
“Kush nuk e ka kuptuar le ta kuptojë mirë dhe qartë, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo beteje ka nisur për çdo shqiptar, për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit. Kjo qëndresë ka nisur për t’i kthyer qeverisjen çdo shqiptari dhe nuk do ndalet deri sa ta bëjë realitet. Askush në këtë protestë, askush në këtë kryengritje demokratike popullore nuk është këtu për karrige, për pushtet dhe aq më pak për pazare por për t’i dhënë fund njëherë e mirë pazareve në kurriz të popullit, qytetarëve, demokracisë, lirisë”, shprehet Basha.
Basha u ka premtuar shqiptarëve që e mbështesin në këtë protestë mbarëkombëtare se nuk do t’i tradhtojë kurrë. “Me ju në mëngjes, në zgjim e në mbrëmje, nuk do t’ju tradhtojmë kurrë”, tha Basha.
Më poshtë, në fotogaleri disa momente të kapura nga protesta:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






























