Me 30 mars ka përfunduar aplikimi i fermerëve për përfitimin e kartës së naftës pa taksa në portalin e-albania ku deri në fund të ditës kanë aplikuar 20561 fermerë.
Ministria e Bujqësisë sqaron se fermerët e shpallur fitues duhet t’i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB) ose agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas.
Pasi pajiset me këtë kartë, fermeri mund të tërheqë naftën në një pikë karburanti dhe atyre që u është pranuar aplikimi kanë të drejtë ta tërheqin atë deri në 30 nëntor 2021.
Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri me ato që ka depozituar ku janë kualifikuar deri më tani rreth 2 mijë përfitues, ndërkohë që procesi i verifikimit për aplikimet e tjera vazhdon ende.
Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT.
Aplikimet u kryen nga fermerë të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.
Mbështetja me naftë bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë ndërsa nga skema e naftës do të përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj.
Regjistrimin e një serre të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e ka kategorizuar si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutorë /Vresht.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.