Art dhe Kulture

Mbyllet “Multimedia”, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Prishtinë

Jeton Neziraj: “Të shpëtojmë “Odën”

Multimedia është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Prishtinën e 200 mijë banorëve.

Hapësira e saj performuese e ndodhur në lagjen Dardania në Prishtinë e cila ka mirëpritur qindra mysafirë nga e gjithë bota në aktivitetet letrare, teatrore, muzikore, etj, të saj, dhe produktet që ka prodhuar i ka shetitur me sukses anembanë botës, prej sot do të mbetet një kujtim i largët në zemrat e atyre që kanë shijuar këtë hapësirë.

Mbylljen përfundimtare të hapësirës e ka njoftuar përmes llogarisë së tij zyrtare në facebook, dramaturgu Kosovar Jeton Neziraj, i cili është njëkohësisht edhe drejtori i “Multimedias” të cilën e ka çelur vetë 10 vite më parë.

Në një bisedë telefonike, Neziraj i tha gazetës “Si” se problem qëndron tek përgjumja e Komunës së Prishtinës dhe mungesi i vullnetit të saj për të shpëtuar jetën kulturore e artistike në qytet që ka aq shumë nevojë, veçanërisht në këto momente të vështira psikologjike për të gjithë, ku në lojë është shëndeti i popullatës.

Jeton Neziraj, dramaturg, drejtor i "Multimedia"

“Këto gati dhjetë vite menaxhmenti i Qendrës Multimedia ka bërë përpjekje të vazhdueshme të gjejë zgjidhje më të qëndrueshme për aktivitetet e saj publike,  megjithatë vullneti i komunës së Prishtinës në këtë drejtim ka munguar. Mbështetja e Komunës së Prishtinës ka qenë ose inekzistente ose minimale – në disa raste madje edhe penguese. Rrugët dhe trotuaret në lagjen Dardania ku ka funksionuar Qendra Multimedia tani po shtrohen me asfalt të ri (po të na pyesni neve që kemi punuar aty, do të thonim se asfalti i vjetër s’ka qenë fare i dëmtuar), ashtu siç e kemi parë që po shtrohen me asfalt rrugët tjera gjithandej nëpër Prishtinë. Por asfalti i ri që po shtrohet e që do të shtrohet, nuk do të mundet kurrë t’i fshehë gjurmët e pafuqisë, padijes, dhe mos-vullnetit të këtij qyteti për t’krijuar e mbajtur hapësira kulturore, kaq të domosdoshme. Prishtina sot nuk ka humbur një hapësirë dosido, por ka humbur një vend ku qytetarët, artistët, aktivistët, janë ndierë të lirë të flasin, të kritikojnë pa frikë, të revoltohen por edhe të krijojnë dashuri për njëri-tjetrin, për qytetin, për vendin tonë. Sot, Prishtina ka humbur një hapësirë të lirë, një copë lirie nga ajo pak liri që i ka mbetur pa u ngulfatur nga asfalti, betoni, kishat, xhamitë e qendrat e shopping-ut.”- thotë Neziraj.

Hapësira performuese e Qendrës “Multimedia” ishte një hapësirë private të cilën drejtueisit e qendrës përmes një kontrate e kishin marrë me qira.

Duke e ditur fundin e marrëdhënies qiramarrëse, Neziraj prej do kohësh do të bisedonte me Komunën e Prishtinës për një zgjidhje alternative në një hapësirë në pronësi të komunës me një çmim të arsyeshëm.

Më shumë se një vit më parë, “Multimedia” dhe dy organizata të tjera kulturore sëbashku me komunën e Prishtinës do të nënshkruanin një marrëveshje bashkëpunimi për të shfrytëzuar hapësirat e një godine nën zotërim të komunës në periferi të Prishtinës.

Komuna do ta konsideronte asokohe sukses duke e promovuar nëpër medie, por edhe sot, ajo marrëveshje nuk është vënë në jetë, por ka detyruar punonjësit e hapësirës fizike të mbyllur të rendin pas një zgjidhje të favorshme.

Neziraj i thotë gazetës “Si” se festivali “Polip” që këtë vit ka jubileun, 10 vjet dhe aktivitetet e tjera do të zhvillohen tek teatri “Oda” në qendër të qytetit.

“Kemi vendosur të bashkëpunojmë me “Odën” që ka hall të ngjashëm me tonin. Ata janë në një godinë me qira të Komunës, por e kuptojmë fare mirë se si mbyllen këto kontrata kur hapësirat I kërkojnë biznese të fuqishëm. Edhe “Oda” herët a vonë rrezikon humbjen, prandaj kemi mbledhur forcat të bashkëpunojmë dhe të mos e lëmë të mbyllet edhe kjo hapësirë”- shpjegon Neziraj.

Prishtina nga tani ka një hapësirë të pavarur kulturore më pak, ripërsërit Neziraj, por megjithatë, siguron ai, “beteja jonë për hapësira performuese do të vazhdojë. Për ruajtjen e këtyre pak që kanë ngelur dhe për krijimin e të rejave.”

Lajmi për mbylljen e hapësirës performuese të “Multimedias” ka tronditur edhe Tiranën, ata artistë dhe shkrimtarë që kanë arritur ta shijojnë atë hapësirë në kohë të ndryshme.

“Trishtim! Ishte një ishull prej Europe, ku kam njohur miq të mrekullueshëm, ku kam lexuar poezi dhe kam dëgjuar rrëfime tronditëse prej zonjash që kanë mbijetuar burgjeve serbe. Quo vadis shqipe?!”- shkruan shkrimtarja Flutura Açka në profilin në facebook të Neziraj.

Shkrimtari Arjan Leka e quan Qendrën “Multimedia” në Prishtinë, përveçse një institucion, një nga zonat krijuese më domethënëse e më të fuqishme të rajonit dhe të hapësirës mbarëshqiptare, “ku ndër vite janë artikuluar ide, ku janë takuar mendje që kanë pasur diçka të rëndësishme për t'i përcjellë Tjetrit, ku janë shfaqur vepra, që janë kthyer në ngjarje kulturore dhe ku, mbi të gjitha, është është krijuar art e qëndresë e ku qytetarët kanë marrë atë që shoqëria dhe institucionet shpesh nuk ua kanë dhënë: DINJITET!”

Të tjerë dashamirës e quajnë “Qendra e Avangardës kosovare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë