Arsim

Mbyllet faza I e aplikimeve në universitet, Xhelaj: 80% e maturantëve të regjistruar, më 15 shtator nis faza e dytë

Nga Gazeta Si- Rreth 16 mijë të rinj janë regjistruar në fazën e parë të aplikimit për studime në universitetet publike. Kjo fazë u mbyll në datën 12 shtator ndërsa gjatë ditës së sotme, çdo kandidat për student ka mundësinë e çregjistrimit në një degë që nuk dëshiron ta ndjekë.

Në një prononcim për Gazetasi.al, kreu i rrjetit akademik shqiptar, RASH, Arjan Xhelaj, thotë se deri në përfundim të fazës së parë, në portalin U-albania janë kryer 80% e aplikimeve.

“Nga data 30 gusht deri në datën 12 shtator janë kryer 7 faza 48 orësh dhe regjistrimi në sekretari. Ndërsa data 13 shtator është vendosur në dispozicion të çdo studenti që të çregjistrohet”, tha kreu i RASH, Arjan Xhelaj.

Sipas tij, universitetet më të preferuara për vitin e ri akademik 2023-2024 janë Universiteti i Tiranë, Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Politeknik dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arian Xhelaj tha për Gazetasi.al se këtë vit, degët e preferuara kanë qenë degët e mjekësisë, si: mjekësia, stomatologjia, infermieria etj.

Por në fazën e parë të aplikimeve në universitetin e Tiranës, fakulteti i Ekonomisë duket se regjistron një shifër të lartë regjistrimesh në fazën e parë.

Dekani i këtij fakulteti, Dhori Kule, tha për Gazetasi.al se deri në datën 12 shtator janë regjistruar 1011 studentë nga 1200 kuota që ka shpallur ky fakultet.

Sipas dekanit Kule, kjo shifër është më e mira e viteve të fundit.

Sipas informacionit të Rrjetit Akademik Shqiptar, RASH, faza e dytë e aplikimit për në universitet nis nga 15 shtator deri më 20 shtator dhe do të kryhet në portalin U-albania.

“Fituesit e kësaj faze shpallen brenda datës 25 shtator. 27 shtator deri në 6 tetor bëhet regjistrimi në sekretarinë mësimore, ndërsa data 7 tetor është e vetmja datë çregjistrimi”, thonë burimet zyrtare të RASH.

Ndërsa në datën 9 tetor deri 13 tetor bëhet aplikimi për në raundin e tretë në portalin U-Albania.

Në datën 15-18 tetor bëhet aplikimi për maturantët jo fitues, ndërsa regjistrimet bëhen me 19 deri 20 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë