Drejtësia

Mbyllen hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt, SPAK u komunikon akuzat të pandehurve

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është drejt përfundimit të hetimeve për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhur para 17 vjetësh dhe të pazbardhura ende.

Këtë të enjte prokurori i çështjes ka komunikuar akuzat ndaj Lulzim Berishës, Indrit Rusit dhe Viktor Ymerit, të cilët priten të merren të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Të premten, 28 janar, pritet që akuzat për këto ngjarje t’i komunikohen edhe personave të tjerë të vënë nën hetim, pra Emiljano Shullazit e Indrit Taullaut.

Pas komunikimit të akuzave Spak pritet që të dalë edhe me një njoftim zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve mbi këtë çështje dhe dërgimin e saj për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

Akuzat ndaj tyre janë ngritur pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Për vrasjen e Vajdin Lajmat, Reçi në dëshminë e tij, tregon se minën me telekomandë që u përgatit në një garazh, e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë.

Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën.

Reçi tregon se Viktor Ymeri ishte mburrur në burg, se personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt, e kishte gjetur ai nga qelia.

Prokuroria e lidh Shullazin me ngjarjen referuar dëshmisë së Luftar Reçit si edhe të vëllait të Vajdin Lamajt, i cili ka dëshmuar se dyshon se pas vrasjes ishte pikërisht Shullazi dhe grupi i tij.

Ky i fundit, dyshohet nga SPAK se ishte personi që qëlloi me armë edhe në tetor 2004 ndaj Vajdin Lamajt, ku ky i fundit mbeti i plagosur.

Të akuzuarit, janë emra të njohur për drejtësinë për një seri krimesh të tjera, të burgosur, të dënuar apo të shpallur në kërkim.

Lulzim Berisha është në arrati me masë sigurimi arrest në burg në mungesë dhe për të ka edhe një urdhër arrest ndërkombëtar.

Ndërsa Plarent Dervishaj ndodhet i lirë në Dubai, pasi është refuzuar ekstradimi nga autoritetet e Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërsa të dyshuarit e tjerë janë në qeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë