Gazeta Si – Pas rreth një viti, Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdiaj, e cila u përplas për vdekje me skaf më 2 gusht 2022 dhe ka ngritur akuzat ndaj 9 të pandehurve, si të dyshuar për shpërdorim detyre.
E mitura u përplas nga një mjet lundrues, në drejtimin e së cilës ishte Arjan Tase, me detyrë shef i policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, por kishte mbajtur edhe detyrën e shefit të Komisariatit të Himarës më parë.
LEXO EDHE:
– E mitura u godit nga helikat e skafit, pasi Arjan Tase zbarkoi familjen në breg. Si ndodhi tragjedia në Potam
– Minutat e tmerrit para vdekjes / Dëshmia e babait të Jonadës: Skafi erdhi drejt nesh me shpejtësi e na ndau. Kushëriri: Bërtitëm ‘Ndalo se e vrave’
Prokuroria ka dalë në konkluzionin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e Tases të zonës së përcaktuar për notarë si dhe manovrës së gabuar të tij në drejtimin e mjetit. Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje me dashje”.
Hetimit të prokurorisë nuk i kanë shpëtuar edhe institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik. Konkretisht për Bashkinë Himarë, Komisariatin Himarë dhe Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë.
Janë 8 persona që janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre.
“F.M., me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
N. B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
L. A., B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
A. D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe
B. A. dhe A.B., me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes”, njoftoi prokuroria.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit në Himarë. Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase.
E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat, duke ndërruar jetë në vend.
Jonada, me origjinë nga Tropoja kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetonin në Angli.
Pas ngjarjes, Tase u përjashtua menjëherë nga radhët e uniformave blu. Ngjarja tragjike tronditi opinionin publik dhe për pasojë u zhvilluan disa protesta në Tiranë, ku u kërkua edhe dorëheqja apo shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



