Politike

Mbyllen hetimet për dosjen ‘Partizani’, SPAK çon për gjykim Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe tre të tjerë

Nga Gazeta 'Si'- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen “Partizani” duke e çuar në GJKKO.

Të pandehur për këtë dosje janë Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.

Përfaqësuesit e akuzës Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai dorëzuan të martën e 15 tetorit materialin në gjykatë, teksa kjo e fundit pritet që të hedh shortin për të caktuar trupën gjykuese ku në listën e 10 gjyqtarëve nuk përfshihet emri i Irena Gjokës.  Kjo e fundit ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.

Kujtojmë që Berisha u paraqit në SPAK më 11 shtator, ndërsa ai është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë