Dy klasa të 12-ta në gjimnazin “Ismail Qemali” janë mbyllur si pasojë e Covid-19. Informacionet e para tregojnë se kanë dalë dy nxënës të infektuar pas kryerjes së tamponëve, ndërkohë që dyshohet se mund të jetë edhe një sanitare.
Drejtoria e shkollës është kujdesur që maturantët e izoluar të zhvillojnë mësimin online teksa do të qëndrojnë për 14 ditë të karantinuar.
Të pakënaqur me vendimin e mbylljes së dy klasave të maturës, teksa ky vit është vendimtar për nxënësit, prindërit e nxënësve që kanë dalë negativë pas kryerjes së tamponëve, shkuan të ankimojnë vendimin pranë Inspektoriatit shëndetësor, duke kërkuar që të hënën mësimi të zhvillohet normalisht.
Ata janë të paqartë dhe pyesin, nëse pasi të kthehen në klasë dhe ka nxënës të tjerë të infektuar, do të qëndrojnë edhe 14 ditë të tjera në shtëpi? “Kështu i bie që ta mbyllin vitin online dhe nuk nuk ka kuptim kur jeta shoqërore vijon pa asnjë masë…”, – ankohen ata.
Ndërkaq, të enjten është mbyllur një tjetër klasë në gjimnazin e Këlcyrës, “Sejfulla Malëshova”. Shtatë nxënës të klasës së II të këtij gjimnazi kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Mbyllja e klasës u bë me urdhër të ISHP-së për të këputur zinxhirin e infeksionit dhe pritet që mësimi të fillojë normalisht pas 14 ditësh.
Për të njëjtën arsye është mbyllur mbrëmjen e djeshme edhe gjimnazi “Qazim Pali” në Borsh me afat kohor 10 ditë, sepse dolën të infektuar 7 mësuese dhe 6 nxënës.
Gjatë kësaj jave Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar vaksinimin e fëmijëve +16 vjeç, në mënyrë që kjo grup moshë të jetë më e mbrojtur, ndërsa stafet e shkollave e kanë pasur me detyrim vaksinimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



