Rend dhe Ligj

Mbrojtje e posaçme për Prokurorin Muça, KLP: Ndaj tij sulm terrorist për shkak të detyrës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi se do të sigurojë mbrojtjen personale dhe familjare të prokurorit Arjan Muça, të cilit iu vendos një sasi tritoli mbrëmjen e së enjtes në automjetin e parkuar në një garazh në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.

KLP ka dalë me një deklaratë ku dënon sulmin, që e cilëson si “terrorist dhe goditje ndaj sistemit të drejtësisë” dhe bën thirrje që ngjarja të zbardhet sa më parë. KLP hedh dyshime se sulmi lidhet me funksionin e prokurorit Muça.

“Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilin e presim me padurim, ajo që ka ndodhur mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shenjëstruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit”, thuhet në deklaratë.

Reagimi vijon duke njoftuar mbrojtjen e posaçme për prokurorin Muça dhe familjarët e tij.

“Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme”, thotë KLP.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaron se do të ndjekë me interes punën e grupit hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji.

Prokurori Arjan Muça aktualisht është i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë si këshilltar në procesin e hartimit të dosjeve për prokurorët që kalojnë në procesin e vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë