Gazeta Si – Leo Mesi udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit botëror në Katar. Numri 10, me shiritin e kapitenit në krah, më në fund ia doli të fitojë të vetmin trofe që i mungonte në tentativën e pestë.
“Është një çmenduri, është gjëja më e bukur që mund të ketë në botë, – tha Mesi për ‘Tyc Sports’. – E doja shumë këtë fitore. E dija që Zoti do të ma jepte, e kisha parandjenjë. Vuajtëm shumë, por në fund ia arritëm qëllimit. Mezi pres të kthehem në Argjentinë për të parë se sa e çmendur do të jetë e gjitha kjo”.

Mesi, i zgjedhur edhe ‘MVP’ i Botërorit, ka siguruar tifozët argjentinas se nuk do të tërhiqet nga kombëtarja. “Natyrisht, doja ta mbyllja karrierën time me këtë triumf, nuk mund të kërkoj më asgjë.
Lavdi Zotit, që më ka dhënë gjithçka! Thuajse ta mbyllësh kërrierën kështu është impresionuese. Tani çfarë do të ndodhë? Kam arritur të fitoj Kupën e Amerikës, Kupën e Botës… E dua futbollin, atë që bëj. Më pëlqen të luaj në kombëtare, me këtë grup.
Dua të vazhdoj të përjetoj edhe ndeshje të tjera si kampion bote. Është ëndrra e fëmijërisë, jam me fat që kam fituar atë që më mungonte”, – është shprehur ‘pleshti’.
Me golat e shënuar në Botëror, Mesi ka kapur shifrën e 98 golave me Argjentinën. Është e lehtë të mendosh se objektivi i tij i radhës janë 100 golat me kombëtaren, edhe pse tashmë vendin në Olimpin e më të mëdhenjve nuk mund t’ia heqë askush. Edhe ata që nuk e duan, gjithmonë e më të paktë pas këtij Botërori spektakolar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.