Edicioni i radhës i Çmimit “Lumo Skëndo” mbledh pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, jurinë e cila do të vlerësojë veprat konkurrente të gjinisë eseisitikë, publicistikë dhe studim. Ky çmim jepet në nder të figurës së Mid’hat Frashërit.
Pedagogia Belina Budini në cilësinë e kryetares së jurisë ka deklaruar për faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit se për të është privilegj dhe përgjegjësi të kryesojë jurinë e edicionit të katërt në vlerësim të botimeve të vitit 2024 .
“Ky çmim është një rast për ta sjellë institucionin e gjykimit kulturor në nivel më të lartësuar në hapësirën publike shqiptare për vetë faktin se kjo figurë intelektuale e shumanshme përbën një gur themeli, duke qenë ajo e një prej etërve themelues të kombit shqiptar dhe ideolog e frymëzues idealist i shqiptarizmës. Është një figurë thellësisht demokratike, që na ka bërë edhe ne si juri të jemi më demokratike, të ftojmë dhe të kemi gjithmonë kontribute nga intelektualë, publicistë, eseistë, studiues të të gjithë spektrit, pavarësisht angazhimeve të tyre politike.
Ajo thekson se figura e Mid’hat Frashërit ka qënë shpesh pre e manipulimeve historike.
“Edhe pse manipuluesit e historisë janë përpjekur ta lënë jashtë dhe ta minizojnë rolin dhe kontributet e tij historike, vepra e Mid’hat Frashëri po vjen e plotë nën kujdesin e Institutit “Lumo Skëndo” dhe ky Çmim po kontribuon në njohjen dhe rivlerësimin e figurës së tij si një personalitet idealist për kontributet e tij kulturore e historike. Duke qenë edhe një nga autoritetet vlerore më të larta shqiptare, Mid’hat Frashëri i bën nder çdo emri që asociohet me të, në respekt të karakterit idealist, etikës e moralit intelektual, ndaj ndihem e nderuar të jem në krye të kësaj jurie që ashtu si edicionin e kaluar, ka vendosur kritere rigoroze në drejtim të kultivimit të vlerave të tilla të cilat vetë Mid’hat Frashëri i ka mishëruar në veprën dhe jetën e vet”, mbyll reagimin Budini.
Studiuesi Uran Butka njëkohësisht dhe anëtar i jurisë thotë për Gazeta “Si” se çmimi “Lumo Skëndo” është themeluar me iniciativën e tij.
“Cmimi “Lumo Skëndo” u themelua në vitin 2006 nga Ministria e Kultures si një çmim kombëtar për nxitjen dhe vlerësimin e cilësise estetike të botimeve shqiptare. I propozuar nga ana ime si autor librave “Kthimi i Midhat Frasherit” dhe “Gjeniu i Kombit” në vitin 2006 u akordua çmimi i parë.
Ai thotë se në vitin 2013 vlerësimi iu besua Bibliotekës Kombëtare për disa edicione deri në vitin 2021 kur iu rikthye sërish Ministrisë së Kulturës.
“Nga viti 2021 çmimi iu rikthye ministrisë e cila nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e cila dha çmimin në katër edicione për veprën më të mirë publicistike, eseistike dhe studimore .
Ai shton se si si përfaqësues i Institutit “Lumo Skendo” dhe botues i veprës së plotë të Midhat Frasherit , ka qënë fillimisht kryetar i jurisë dhe më pas si anëtar në katër edicionet e fundit.
“Në dhënien e çmimit synohet botimi më cilësor dhe më profesional në fushën e publicistikës, eseistikës dhe studimeve”, thekson Butka.
Juria e këtij viti përbëhet nga Belina Budini ( kryetare), Uran Butka, Aida Tuci, Rudina Xhunga dhe Anastas Angjeli. Vitin e fundit ky çmim shkoi për librin biografik ” Fan Noli” të autorit Ilir Konomi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.