Kosova

Mbledhje urgjente e Qeverisë së Kosovës, EULEX bastis banesën e Thaçit, Veselit dhe zyrat e PDK-së

Qeveria e Kosovës zhvilloi paraditen e kësaj të premteje një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe vendosur mbi hapat që do të ndërmerren pas konfirmimit të akuzave ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Mediat në Kosovë flasin për një mbledhje të shoqëruar me debate mes anëtarëve të kabinetit dhe Kryeministrit, Avdullah Hoti. Sipas raportimeve, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt ka propozuar që Qeveria e Kosovës të largohet nga dialogu me Serbinë.

“Konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit dhe shefit të grupit më të madh parlamentar është goditje për tërë popullin dhe në veçanti për institucionet e Kosovës. Këto aktakuza, të cilat më shumë se kanë qenë efekt juridik po prodhojnë efekte politike me qëllim (dobësimin) e pozicionit tonë ndërkombëtar përballë të cilave nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq. Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar, i deleguar nga AAK-ja për dialog konsideroj që Qeveria e Kosovës menjëherë duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër”, ka deklaruar Selimi.

Përfaqësuesi i AAK-së tha se Qeveria e Kosovës nuk është kundër vendosjes së drejtësisë, por kërkoi më shumë transparencë nga ana e Gjykatës Speciale dhe hodhi dyshime se veprimet e saj nxitën nga faktorë përtej qëllimit të bërjes drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

Ndërkohë, Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar vetëpërmbajtje dhe shmangie të deklaratave dhe komenteve mbi vendimet e organeve të drejtësisë.

“Duhet ta respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Bazën ligjore e kemi të qartë se si të sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar personat e përfshirë në këtë situatë”, citohet ai.

EULEX kontrolle të shumfishta

Në kohën që Qeveria e Kosovës zhvillonte këtë mbledhje, EULEX dhe Policia e Kosovës ishin përfshirë në një operacion të gjerë kontrollesh nëpër Kosovës.

Kontrollet përfshinin shtëpitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, si edhe zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Aksioni u konfirmua nga zyra e prokurorit special.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë