Ashtu siç edhe mund të merret me mend, mbjellja e më shumë pemëve mund të nënkuptojë se më pak njerëz vdesin nga temperaturat gjithnjë e më të larta të verës në qytete, sugjeron një studim i ri.
Rritja e nivelit të mbulesës së pemëve nga mesatarja evropiane prej 14.9% në 30%, mund të ulë temperaturën në qytete me 0.4C, gjë që mund të reduktojë vdekjet nga nxehtësia me 39.5%, sipas modelimit të parë të këtij lloji mbi 93 qytete evropiane.
Autorja kryesore e studimit, Tamara Iungman, nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global, tha: “Kjo po bëhet gjithnjë e më urgjente pasi Evropa përjeton luhatje gjithnjë e më ekstreme të temperaturës të shkaktuara nga ndryshimet klimatike”.
“Ne e dimë tashmë se temperaturat e larta në mjediset urbane shoqërohen me rezultate negative shëndetësore, si dështimi kardio-respirator, shtrimi në spital dhe vdekja e parakohshme”, tha ajo.
Ekipi i saj dëshiron të ndikojë në politikëbërësit për t’i bërë qytetet më të gjelbra, “më të qëndrueshme, elastike dhe të shëndetshme”, si dhe të zbusë efektet e ndryshimeve klimatike. Sipas saj, sëmundjet dhe vdekjet e lidhura me të nxehtin pritet të paraqesin një barrë edhe më të madhe për shërbimet shëndetësore gjatë vitit të ardhshëm, sesa vdekjet e lidhura me temperaturat e ftohta.
Studiuesit përdorën të dhënat e vdekshmërisë për të vlerësuar uljen e mundshme të vdekjeve që lidhen me temperaturat më të ulëta si rezultat i rritjes së mbulimit të qyteteve me pemë. Duke përdorur të dhënat e vitit 2015, ata vlerësuan se nga 6700 vdekje të parakohshme atë vit që i atribuohen temperaturave më të larta urbane, 2644 mund të ishin parandaluar nëse do të ishte rritur mbulesa me pemë.
Qytetet që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga rritja e mbulimit me pemëve janë në Evropën Jugore dhe Lindore, ku temperaturat e verës janë më të larta dhe mbulimi i pemëve priret të jetë më i ulët.
Në qytetin Kluzh të Rumanisë – e cila kishte numrin më të madh të vdekjeve të parakohshme për shkak të nxehtësisë në 2015, me 32 vdekje për 100,000 banorë – mbulimi i pemëve është vetëm 7%. Në Lisbonë të Portugalisë është deri në 3.6% dhe në Barcelonë 8.4%. Kjo krahasohet me 15.5% në Londër dhe 34% në Oslo.
Bashkautori i studimit Mark Nieuwenhuijsen, një studiues në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global, tha se ekipi zgjodhi 30 përqindëshin si masë mbulimi me pemë, pasi ky është një objektiv për të cilin aktualisht po punojnë shumë qytete evropiane.
Ai tha se nuk kishte nevojë që ndërtesat të rrafshoheshin dhe të zëvendësoheshin me parqe, pasi ka hapësirë të mjaftueshme për të mbjellë më shumë pemë në të gjitha qytetet që ekipi vëzhgoi. Ai vlerësoi iniciativat si plani i BE-së për 3 miliardë pemë dhe propozimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar që çdo shtëpi të jetë brenda 15 minutash në këmbë nga hapësira e gjelbër. Megjithatë ai vuri në dukje se politikëbërësit duhet të sigurojnë që pemët të shpërndahen në mënyrë të barabartë midis lagjeve më të pasura dhe të varfra.
Ai shtoi se qytetet që janë “shumë të dominuara nga makina” duhet të konsiderojnë zëvendësimin e rrugëve të asfaltuara, të cilat thithin nxehtësinë, me pemë.
Mbjellja e më shumë pemëve në qytete duhet të jetë prioritet sepse sjell një gamë të madhe përfitimesh shëndetësore përtej reduktimit të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, shtoi ai, duke përfshirë reduktimin e sëmundjeve kardiovaskulare, demencës dhe shëndetit të dobët mendor.
Prof.Yadvinder Malhi, profesor i shkencës së ekosistemit në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha: “Më shumë se gjysma e njerëzve në botë jetojnë në qytete, kështu që pemët do të jenë një zgjidhje kritike për t’i bërë zonat urbane më elastike. Pemët urbane sjellin shumë përfitime të përbashkëta përtej përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike: Shumë studime tregojnë se vetëm shikimi dhe nuhatja e pemëve sjellin përfitime në shëndetin dhe mirëqenien e njeriut, si dhe përmirësojnë biodiversitetin urban. Por pjesa më e madhe e mbulesës së pemëve gjendet në qytete dhe lagje të pasura, kështu që rritja e mbulimit të pemëve urbane mund të zvogëlojë këtë pabarazi dhe veçanërisht të zvogëlojë cenueshmërinë e lartë të lagjeve më të varfra ndaj ndryshimeve klimatike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




