Njerez

Mbipopullimi: Tokio do të paguajë familjet që të largohen nga qyteti

Japonia do të paguajë familjet për t’u larguar nga kryeqyteti i saj i mbipopulluar, në një përpjekje për të rigjallëruar qytetet e tjera.

Duke filluar nga prilli, familjet në zonën metropolitane të Tokios, do të kenë të drejtë të marrin 1 milion jen (7700 dollarë) për fëmijë nëse lëvizin në zona më pak të populluara në të gjithë vendin, sipas një zëdhënësi të qeverisë.

Stimujt do të jenë për fëmijët nën 18 vjeç ose për personat 18 vjeç e lart që ndjekin shkollën.

Nuk është hera e parë që qeveria përpiqet të përdorë stimuj financiarë për të inkurajuar njerëzit të largohen, por ky plan është trefishi i shumës së ofruar deri më tani.

Për dekada, njerëzit në të gjithë Japoninë kanë migruar në qendrat e saj urbane duke kërkuar mundësi pune. Tokio është qyteti më i populluar i vendit, me rreth 37 milionë banorë.

Përpara pandemisë Covid, numri i njerëzve që lëviznin në Tokio tejkalonte numrin e atyre që largoheshin nga qyteti me deri në 80,000 çdo vit, sipas statistikave të qeverisë të lëshuara në 2021.

Por ky model migrimi, i kombinuar me plakjen e shpejtë të popullsisë së Japonisë, i ka lënë qytetet rurale me gjithnjë e më pak banorë, si dhe me miliona shtëpi të pabanuara. Më shumë se gjysma e komunave të vendit pritet të përcaktohen si zona të papopulluara në vitin 2022, sipas një regjistrimi kombëtar.

Ndërkohë, në qytetet e mëdha, hapësira ka mbaruar dhe çmimet janë rritur shumë. Tokio është vazhdimisht një nga qytetet më të shtrenjta në botë për të jetuar, duke u renditur i pesti globalisht në vitin 2022.

Migrimi i të rinjve nga fshatrat drejt qyteteve të mbushura me njerëz, është një faktor kyç në krizën më të madhe demografike të Japonisë, sipas ekspertëve. Vendi ka luftuar prej kohësh me nivelet e ulëta të lindjeve dhe jetëgjatësinë e gjatë, dhe ka parë që numri i vdekjeve të jetë më i madh se lindjet në vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë