Mendim

Mbi antikushtetutshmërinë e propozimeve të reja për heqjen e shtetësisë shqiptare

Nga Etien Isak* - Me hyrjen e muajit të nxehtë të gushtit, që përkoi dhe me nisjen e pushimeve vjetore të ligjvënësve, Këshilli i Ministrave depozitoi në dt.02.08.2019 projektligjin e ri “Për shtetësinë” duke propozuar mënyra të reja të fitimit të shtetësisë shqiptare dhe duke propozuar shfuqizimin e ligjit të vjetër nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar”.

Thënë sa më sipër, u publikua dhe në edicionet informative audio-vizive, shtypin e shkruar tradicional apo online, ku elementi kryesor ndaj të cilit u kushtua vëmendje ishte pikërisht propozimi për të shtuar me ligj mënyrën e re të fitimit të shtetësisë shqiptare të njohur nga doktrina juridike si “jus soli”, e cila ka të bëjë me fitimin e shtetësisë për shkak të lindjes në territorin e atij shteti. Mënyrë kjo e cila njihet edhe në vende të tjera me demokraci të zhvilluar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu u parashikua se në rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë hyn edhe interesi që Republika e Shqipërisë mund të ketë ndër të tjera edhe në sektorin e ekonomisë, ku me vendim të Këshillit të Ministrave mund të parashikohen shuma të caktuara monetare më në detaje, të cilat nëse investohen në Shqipëri mund t’i dhurojnë shtetësinë shqiptare investitorit.

Megjithatë, kjo duket se do të kërkojë kohë të gjejë zbatim për shkak të problemeve të mahisura ndër vite me çështjet e pronësisë, punën me ritme të ngadalta të gjykatave për shkak të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo dhe mjedisin armiqësor ndaj investitorëve të huaj (përmendim rastin e freskët të biznesmenit libanez të dhunuar në Durrës), ku edhe pse kishte një vendim gjykate në disfavor, me vullnet shteti mund edhe të vinte në punë ligjin për investimet strategjike për të kompensuar pronarët.

Gjithsesi në thelb të këtij shkrimi dëshiroj të evidentoj një dispozitë të projektligjit të ri për shtetësinë, dispozitë kjo e cila bie ndesh në mënyrë flagrante me Kushtetutën tonë. Konkretisht, krahas mënyrave të fitimit të shtetësisë, Këshilli i Ministrave (si autoriteti propozues në këtë rast) ka parashikuar në nenet 12 dhe 15 të projektligjit edhe humbjen e shtetësisë duke e ndarë atë në rastet e heqjes dorë prej saj dhe të heqjes së saj kryesisht nga shteti.

Në Kushtetutën e miratuar me referendum në 28.11.1998, në nenin 19 të saj flitet edhe për shtetësinë shqiptare. Duke përdorur gjuhën e thukët dhe lakonike që duhet të karakterizojë në përgjithësi të gjithë ligjet themeltare të shteteve citohet se: “1. Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj. 2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.” Duke vështruar parashikimin kushtetues të miratuar me referendum, i cili fatmirësisht i ka shpëtuar gjymtimit prej fenomenit të trafikimit të votave në tempullin e demokracisë tonë foshnjarake, lehtazi dallohet se Kushtetuta përcakton si mënyrë të padiskutueshme mënyrën e fitimit të shtetësisë prej origjinës, por duke lënë të hapur dhe në diskrecion të ligjvënësve edhe shtimin e mënyrave të tjera të fitimit të shtetësisë si p.sh. ato që cituan më sipër apo natyralizimi.

Ajo që Kushtetuta prerazi ndalon është humbja e shtetësisë së shtetasit shqiptar, me përjashtimin e vetëm kur ky i fundit dëshiron ta braktisë atë. Procedura e heqjes dorë reflektohet në mënyrë të detajuar edhe në ligjin e tanishëm në fuqi të vitit 1998.

Në projektligjin e propozuar në dispozitat 12 dhe 15 të tij Këshilli i Ministrave, në një rrëshqitje shembullore nga binarët kushtetues, ka propozuar dy shkaqe për humbjen e shtetësisë pa kërkesën e vetë shtetasit. Kështu është propozuar heqja e shtetësisë kur: “a) Kur vërtetohet se shtetasi ka paraqitur dokumente të falsifikuara për fitimin e shtetësisë; b) Kur shtetasi përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.”

Në fakt, kushti i parë shfaq një mungesë familjarizimi të qeverisë me nocionin bazik të jurisprudencës të së drejtës kontinentale, atë të pavlefshmërisë absolute të akteve administrative, edhe pse kohët e fundit ky nocion ka qenë dendur në ligjërim të deputetëve dhe në qarkullimin mediatik për shkaqe që s’i hyjnë në punë këtij shkrimi. Pra thënë ndryshe, paraqitja qoftë edhe e një dokumenti të falsifikuar që do të rrëzonte një kriter për fitimin e shtetësisë, do të “dënohej” me pavlefshmëri absolute për të cilën parashikon Kodi i Procedurave Administrative dhe kaq është mjaftueshëm. Në këtë rast do të kishim të bënim thjesht me tërheqjen e mjeteve të identifikimit ndaj personit përkatës si produkte të paligjshmërisë, dhe jo me heqje shtetësisë, pasi kjo e fundit thjesht nuk ka ekzistuar de jure.

Megjithatë, pika e dytë ka të bëjë antikushtetutshmërinë flagrante të dispozitës ligjore të propozuar. Ajo që duhet të kihet parasysh në rastet e personave që përkrahin apo kryejnë veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare apo rendin kushtetues të Shqipërisë, është se Kodi Penal parashikon një mori veprash penale në një kapitull më vete për veprimtari të tilla. Për rrjedhojë është vetë shteti shqiptar, Këshilli i Ministrave, Shërbimi Informativ i Shtetit, policia, prokuroria e gjykatat dhe burgjet, ato që marrin përsipër përgjimin parandalues, ndjekjen penale, gjykimin dhe rehabilitimin përmes sistemit penitenciar.

Në vendet si puna jonë ratifikuese të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, qëllimi i vuajtjes së dënimit është pikërisht rehabilitimi dhe rikthimi i delikuentëve në shoqëri për t’i rishërbyer drejt kësaj të fundit, dhe jo vetëm shpagimi për veprën e kryer. Në harmoni me parashikimet kushtetuese për shtetësinë, edhe vetë Kodi Penal përcakton si dënim plotësues dëbimin e të dënuarve nga territori i Republikës vetëm kur nuk kanë shtetësinë shqiptare. Madje ky dënim plotësues revokohet nga gjykatat me kërkesë nëse të dënuarit fitojnë shtetësinë shqiptare.

Gjithashtu parashikimi se kjo masë mund të merret vetëm ndaj atyre që e kanë fituar shtetësinë me natyralizim, është në kundërshtim të hapur me normën kushtetuese, e cila edhe pse lë të hapur mënyrat e fitimit të shtetësisë duke sjellë zgjerim eventual të të drejtave, nga ana tjetër rigorozisht ndalon shprehimisht humbjen e shtetësisë, përveç rastit të vullnetshëm të heqjes dorë.

Pra është e qartë se nuk ka veprimtari përkrahëse apo të tjera cenuese ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues që të sjellë heqjen e shtetësisë shqiptare ndaj shtetasve të kësaj republike. E gjitha çka mbetet janë përpjekjet e këtij shteti për të riedukuar dhe rehabilituar shtetasit e vet që të jenë përsëri të vlefshëm për shoqërinë pavarësisht nga vepra e kryer, dhe duke sjellë realisht programe të dobishme edukative që i largojnë burgjeve dhunën, bullizmin, konsumin e drogës apo alkoolit.

Ajo çka na mbetet të shpresojmë është që ky propozim të mos votohet symbyllur nga ligjvënësit, por të shfaqet kjo problematikë kushtetuese e projektligjit duke lehtësuar gjithashtu sadopak dhe ngarkesën e Gjykatës Kushtetuese të re.

*Autori është As.avokat dhe As.lektor pranë Fakultetit të Drejtësisë, UT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë