Media Galeri

Mbi 500 liderë dhe të ftuar VIP, darka e shtruar nga Macron…. në piramidën e Luvrit

Nga Gazeta 'Si'-Një darkë për nder të liderëve dhe personave të tjerë VIP është zhvilluar dje nga çifti Bach dhe çifti Macron, në piramidën e Luvrit, përpara Olimpiadës.

Është “Darka e Presidentit” tradicionale dhe prestigjioze e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), e bashkëorganizuar me presidencën franceze si një zakon i nisur nga Thomas Bach në prag të Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi, Rusi.

Në darkë ishin rreth 500 të ftuar, krerë shtetesh, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe organizmave sportive dhe grupeve që financojnë Lojërat Olimpike.

Mes të pranishmëve ishin Mbreti Philip i Belgjikës me Mbretëreshën Mathilde, të cilët mbërritën me fëmijët e tyre, çifti mbretëror i Spanjës Philip VI dhe Letitia, Princesha Anne, mbreti i Danimarkës Frederik dhe Mbretëresha Mary, si dhe Jill Biden, që përfaqëson presidentin amerikan, Joe Biden.

Sipas raportimeve, të ftuarit kanë shijuar gatimet e shefit të vlerësuar me çmime, i specializuar në darka me karakter diplomatik, Alain Ducasse.

Siç shihet edhe në foto, tavolina ishte zbukuruar me lule në ngjyra të errëta të kombinuara me detaje floriri në qirinj, pjata dhe gota.

Darka u zhvillua nën masa drakonike sigurie. 300 oficerë ishin në gatishmëri vetëm për krerët e shteteve, ndërkohë që të gjithë ata që kanë punuar në mbrëmje – nga kamerierët te kuzhinierët janë kontrolluar tërësisht të dhënat e tyre kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë