Bledar Hoti – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet zyrtare të votave, duke deklaruar se në Shqipëri numri i votuesve ishte 812.249 zgjedhës ose 22.97% e totalit të numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj në një deklaratë për median bëri publike shifrat zyrtare për votat e pavlefshme për kryetarët e bashkive dhe të këshillave bashkiakë.
“Sipas të dhënave paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik të të dhënave të KQZ-së, rezulton se kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie është 765.825 ndërsa për këshill bashkiak, 760.933. Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986. Në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar”, deklaroi Hoxhaj.

Tabulimi i rezultatit këtë herë sipas KQZ-së është mbyllur brenda 48 orëve nga momenti i mbylljes së votimit. Menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit dhe miratimit me vendim të tabelës së rezultateve nga KZAZ-të për zonat përkatëse të administrimit zgjedhor, KZAZ-të kanë nisur dorëzimin në KQZ të kutive të votimit dhe kutive me materialet zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Ky proces vijon edhe ditën e sotme pasi volumi i materialeve zgjedhore është i konsiderueshëm.

Gjithashtu, KZAZ-të kanë dorëzuar në KQZ tabelat e rezultateve të zonave të administrimit zgjedhor së bashku me tabelat e rezultateve të nxjerra nga grupet e numërimit të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas Hoxhajt, do të vazhdojë me administrimin e mëtejshëm të procesit, sipas hapave dhe procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, deri në përfundimin e tij.
“Sipas ligjit, për 51 bashkitë e administruara nga një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon nga data e miratimit të vendimit për nxjerrjen e rezultatit nga KZAZ. Ndërsa për 10 bashkitë ku procesi është administruar nga me shumë se një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon datën e miratimit të tabelës së rezultateve nga KQZ. Duke marrë shkas nga ambiguiteti dhe disa keqinterpretime që janë vërejtur këto ditë lidhur me shifrat paraprake që KQZ me të drejtë vlerësoi të publikonte për të informuar publikun e interesuar, theksojmë se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi Hoxhaj.
Shifrat më të ulëta në zgjedhjet e shkuara
Nga të dhënat paraprake rezulton se në Bashkinë Tiranë, janë regjistruar rreth 13 mijë vota të pavlefshme, që përbëjnë 7% të totalit. Më e lartë është shifra në Lezhë, 1.269 vota të pavlefshme ose 9%. Ndërsa 6% e votave të hedhura në Bashkinë Shijak janë të parregullta, saktësisht 359 fletë. Në Kurbin votat e pavlefshme llogariten 7%, në Kukës 8% dhe në Vlorë 6%. Shifra më e lartë e votave të pavlefshme llogaritet në bashkinë Përmet, 11% e totalit, ndërsa në Gjirokastër janë numëruar 660 fletë të pavlefshme, që përbëjnë 6%. Numri i votave të pavlefshme për Bashkinë Durrës është 3029 të tilla, që përbëjnë 7.5%. Këto të dhëna flasin për shifra të lartë të votave të pavlefshme në raport me numrin e pjesëmarrëse në zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 votuan 1.614.051 zgjedhës dhe fletë të pavlefshme ishin 31.898 1,98% të totalit. Në këto zgjedhje kishte vetëm një fletë votimi. Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, rezultuan 24279 fletë të pavlefshme, ose 1,39% të totalit të 1.749.058 fletëve të gjetura në kuti.

Sa i përket zgjedhje lokale të vitit 2015, rezulton se kishte 49.766 vota të pavlefshme për këshillat, ose 3,08%. Ndërsa për kandidatët për kryetar bashkie kishte 38.545 vota të pavlefshme ose 2,39% të totalit. Duhet thënë se në këto zgjedhje ka pasur më shumë subjekte politike që kanë konkurruar në zgjedhje, si dhe ka pasur më shumë kandidatë për kryetar bashkie.
PD, Kaso: KQZ e rriti me 8% numrin e votuesve
Për shifrat zyrtare të KQZ-së reagoi Partia Demokratike, e cila akuzoi këtë institucion se ka rritur me 8% shifrën e votuesve që morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Për opozitën, ky institucion ka shtuar 200 mijë vota nga sa kishte deklaruar me parë. Sipas sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, pjesëmarrja reale në zgjedhje ishte 15%, duke shtuar se mbushja e kutive nuk e ndihmon dot Edi Ramën. “Të dhënat e sotme janë mashtrim. Kanë mbushur kutitë e votimit duke shtuar rreth 200 mijë vota në gjithë vendin. Pjesëmarrja reale është 15%, mbushja e kutive për t’i dhënë Ramës oksigjen nuk e ndryshon dot faktin se qendrat e votimit ishin thuajse bosh. KQZ mashtroi dhe akoma nuk ka dhënë llogari për dyfishimin e shifrës. KQZ zhduku transparencën, nuk hodhi në sistemin online të dhënat, nuk publikoi asnjë tabelë me rezultate. Edhe tani Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka publikuar asnjë të dhënë”, tha Kaso para mediave.

Për PD-në në këtë proces zgjedhor janë konstatuar dy shkelje nga ana e KQZ-së. “nuk ka dhënë llogari pse në deklaratën e së dielës për pjesëmarrjen në orën 11.00 shifra u dyfishua në 12 për qind, kur, në të vërtetë, sipas dokumentit që publikoi Partia Demokratike, shifra reale ishte vetëm 6 për qind. “Siç kemi denoncuar më herët, për të manipuluar rezultatin e 30 qershorit, Komisioni Qendror i Vjedhjeve zhduku transparencën nëpërmjet dy mekanizmave. Më 30 Qershor të dhënat e pjesëmarrjes nuk u hodhën në sistemin online të të dhënave për të mos lënë gjurmë. Gjatë gjithë procesit të numërimit nuk u publikua asnjë tabelë me rezultatet. Është e pa precedentë, që në fund të procesit të numërimit, edhe tani që flasim, Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki”, theksoi Kaso.

Për rezultatet e shifrave të KQZ-së, pati edhe një reagim nga ish-deputeti Oerd Bylykbashi, i cili me anë të një statusi në Facebook, shprehet se tashme të gjithë e dinë që vetëm 15 % i shkuan në votimet farsë dhe 85 % e shqiptarëve ia refuzuan 30 qershorin. “Dhe meqë në 2015 votuan 48 %, Rama dha urdhër që ta çonin pjesëmarrjen sa gjysma. Në mbrëmjen e 30 qershorit, edhe pse shifra e vetë KQZ-së tregonte 21 %, publikisht deklaruan 24 %, fiks sa gjysma e 2015. Por Rama e kuptoi që po i derdhej uji i pilafit që vlonte dhe e uli pak zjarrin. Sot deklaruan 22 për qind, ama katër kuzhinieret me përparëse zhul në KQZ ia kanë shtuar plot 7 % volumin e këtyre zgjedhjeve që i bënë pilaf. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ishte rezultati për partitë, por pjesëmarrja. Rama këtë pjate i ka porositur kuzhinës së KQZ. Nuk thoene kot: një rezultat i vonuar eeshtë rezultat i gatuar”, shprehet Bylykbashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





