Arsim

Mbi 21 mijë studentë të regjistruar, viti i ri akademik nis këtë të hënë me bojkot dhe degë që rrezikojnë të mbyllen

Nga Gazeta Si - Në pritje të nisjes së vitit të ri akademik më 2 tetor, maturantët kanë kohë deri në mbrëmjen e datës 1 tetor që të regjistrohen në universitete, sipas degëve ku janë shpallur fitues në raundin e dytë.

Në raundin e parë aplikuan rreth 19.600 maturantë prej të cilëve 15.600 u regjistruan në fakultete. Pas përfundimit të dy raundeve pritshmëritë janë që mbi 21 mijë studentë të nisin vitin e ri akademik.

Sipas të dhënave nga rrjeti Akademik Shqiptar, 75% e maturantëve janë regjistruar ne universitetet publike, ku degët që kanë ecurinë më të mirë janë Mjekësia, Teknologjia e Informacionit, Inxhinieritë dhe Ekonomiku.

Ndërkohë, për disa programe, situata nuk paraqitet aspak e mirë, edhe pse të dhënat e regjistrimeve në raundin e dytë nuk janë bërë ende publike dhe mbetet edhe një raund i tretë i lirë.

Edhe pse janë shpallur degë prioritare, deri më tani Matematika, Fizika dhe Kimia kanë pasur një numër të ulët regjistrimesh, duke rrezikuar edhe që most ë plotësojë numrin minimal të studentëve, që është 10 studentë për program.

Edhe tre programe studimi tek Fakulteti i Gjeologjisë rrezikojnë të mbyllen nëse edhe në raundin e lirë që nis më 4 Tetor, nuk do kenë më shumë se 10 studentë të regjistruar.

Ndërkohë, Universiteti bujqësor, ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ka arritur të shpëtojë të gjithë programet, duke pasur një rritje të regjistrimeve.

“Këtë vit do të hapim të gjithë programet pasi në çdo program kemi studentë të regjistruar”, u shpreh të premten Fatbardh Sallaku, rektor i universitetit bujqësor.

Universitetet e rretheve “në ankth” deri në fund të regjistrimeve

Rrethet vazhdojnë të kenë probleme me degët që nuk preferohen nga studentët.

Në Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Durrës dhe Vlorë ka degë që mund të mos hapen këtë vit.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” këtë vit ka më pak studentë, ndërsa në fund të muajit do të mësohet nëse do të mbyllet ndonjë degë studimi.

Në Universitetin e Elbasanit, “Aleksander Xhuvani” rrezikojnë tre degë dhe numri i studentëve në degët e tjera është shumë i ulët.

Nga ana tjetër në Universitetin e Korçës, “Fan S Noli” gjashtë degë janë në rrezik.

Në Gjirokastër, Universiteti “Eqrem Çabej” ka më pak studentë dhe interesi është ulur këtë vit.

Studentët e mjekësisë do të bojkotojnë

Pas miratimit të VKM-së që detyron studentët e mjekësisë së përgjithshme që të qëndrojnë në Shqipëri 2 deri në 5 vite pas përfundimit të studimeve, ose përndryshe të paguajnë tarifën e plotë të studimeve, studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të vitit akademik, pas disa protestave para dhe pas miratimit të VKM-së.

Ditën e hënë, 2 tetor, studentët e mjekësisë do të mblidhen në orën 08:00 tek Universiteti i mjekësisë duke bojkotuar nisjen e mësimit.

Ndërkohë që një vit më parë, viti i ri akademik nisi me bojkot të pedagogëve, këtë vit është “rradha” e studentëve të mjekësisë që të nisin një vit akademik të pazakontë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë