Nga Gazeta ‘SI’ – Më shumë se 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërie, përllogarit INSTAT.
Sipas vlerësimit të bërë në janar të vitit 2025, 1.17 milionë janë meshkuj dhe 1.07 mln janë femra. Gjetjet tregojnë se diaspora përbëhet kryesisht nga një popullsi relativisht e re. Rreth 18% e saj janë në grupmoshën 0-14 vjeç, 77% përfshihen në grupmoshën 15-64 vjeç, dhe vetëm 5% janë mbi 65 vjeç.
Kjo strukturë tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve ku ata kanë emigruar dhe rrjedhimisht një humbje e madhe për Shqipërinë.

Italia është vendi ku jeton pjesa më e madhe e shqiptarëve jashtë vendit, me 557 mijë të regjistruar për vitin 2024. Greqia renditet e dyta me 425 mijë të regjistruar, të dhëna këto që i referohen vitit 2021. Në Shtetet e Bashkuara jetojnë 206.520 shqiptarë, ku pjesa më e madhe, 111.904 individë, janë gjenerata e dytë, pra të lindur atje.
INSTAT raporton se emigrantët shqiptarë arrijnë përfitime të konsiderueshme gjatë periudhës së qëndrimit jashtë vendit. Mesatarisht, ata fitojnë 2.5 herë më shumë sesa fitonin para migrimit dhe afërsisht 2.5 herë më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre që qëndrojnë në Shqipëri. Kjo tregon jo vetëm suksesin ekonomik të shqiptarëve jashtë vendit, por edhe potencialin që diaspora mund të sjellë për përmirësimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve drejt vendit.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




