Një faqe në internet me domain rus dhe me emrin e “Homeland Justice”, grupi i hakerave që mori përgjegjësinë e sulmit kibernetik në Shqipëri janë publikuar disa dosje, kur pretendohet se janë mesazhet e marra, të dërguara dhe të fshira në postën elektronike të Kryeministrit Edi Rama.
Faqja me emrin www.homelandjustice.ru aktualisht është e bllokuar në Shqipëri, por në dosjen e plotë prej 650 MB të siguruar nga Gazeta Si gjenden rreth 1 mijë mesazh që i janë dërguar në postën elektronike adresave [email protected] dhe [email protected]. Për të dyja këto adresa, grupi pretendon se i takojnë Kryeministrit Edi Rama.
Në postën hyrëse janë rreth 1 mijë mesazhe, ku një pjesë e mirë e tyre kanë një numër më të madh dërguesish, përvec dy adresave në fjalë. Mes mesazheve denoncohen institucione, si Drejtoria e Administratës Publike, apo Autoriteti Rrugor Shqiptar e institucione vendore si Bashkia e Dibrës për vendimmarrje abuzive.
Nuk mungojnë as mesazhet studimore, që në dy adresat e mësipërme janë dërguar nga aktivistë të shoqërisë civile, shoqata, organizata e studiues. Në një mesazh të tillë, Ramës i dërgohen projekte se nga ku duhet të kalojë hekurudha që të lidhë Durrësin me Prishtinën, duke dhënë në total pesë variante.
Ndërkohë, mes mesazheve të fshira gjendet adresa e Jan Puhl, gazetar i Der Spiegel me të cilin Edi Rama realizoi në vjeshtë të vitit të kaluar një intervistë, ku i shpjegonte vendimin e Qeverisë shqiptare për të strehuar afganët.
Data e mesazheve është tetor 2021 dhe ajo përkon me periudhën kur gazeta gjermane publikoi intervistën në fjalë me autor Jan Puhl.
Grupi i hakerave “Homeland Justice” pretendon se vec mesazheve të Kryeministrit zotëron edhe mesazhet e ministrave të kabinetit qeveritar të cilat mund t’i publikojë në ditët në vazhdim. Pas këtij grupi ka dyshime se qëndron Irani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.