Rend dhe Ligj

Mbetjet toksike të ‘Kurum’, deri tani janë ekzekutuar 20 masa sigurie

Gazeta Si – Ndërsa aksioni po vijon ende, policia ka ekzekutuar deri tani 20 nga 33 masat e sigurisë të dhëna nga Prokuroria e Durrësit për çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”.

Ndërkohë për 13 persona të tjerë, vijon kërkimi. Të gjithë akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë.

Masat e sigurimit personal u caktuan me kërkesë të prokurorisë për transportimin e 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë “Kurum” nga porti i Durrësit drejt Tajlandës.

Kontejnerët me mbetje ndërkohë vijojnë të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos dhe ende nuk dihet se çdo të bëhet me to, si do të asgjësohen dhe ku, pas përcaktimit të tyre si mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke Kurum, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k., është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për disa akuza, nga “Kondrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” të pastrimi i “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale” që rëndojnë kryesisht ndaj administratorëve të kompanive të përfshira në këtë rrjet, deri te “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” apo “shpërdorimi i detyrës” për zyrtarët e Doganës dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Masat e sigurisë për 20 persona

-M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;

-J. K., 49 vjeç, I. L., 55 vjeç dhe H. L., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, E. V., 59 vjeç, Sh. J., 55 vjeç, të dy banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim;

-R. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-Sh. H., 39 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim;

-N. B., 58 vjeç, dhe A. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-K. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-I. M., 47 vjeçe, banuese në Durrës; M. P., 37 vjeçe; A. D., 46 vjeçe; K. S., 34 vjeçe; B. T., 40 vjeçe dhe E. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-M. Z., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve:

-E. D., 46 vjeç; Y. K., 46 vjeç dhe H. S., 42 vjeç, banues në Turqi; M. I., 43 vjeç banues në Vlorë; A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë; M. K., 68 vjeçe, banuese në Tiranë; P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan; Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës; D. S., 43 vjeç, banues në Tiranë; D. S., 57 vjeç, shtetas kroat; Gj. S., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë; O. P., 40 vjeçe, banuese në Lushnje; dhe I. H., 61 vjeç, shtetas gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë