Rend dhe Ligj

Mbetjet toksike të ‘Kurum’, rrezik për njerëzit dhe mjedisin. Si u tentua të fshihej fatura e shitjes

Gazeta Si – Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke Kurum, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k., është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve.

Organi i akuzës, thekson se ekspertimi laboratorik ka provuar se mbetjet e transportuara me anijen “Moliva XA443A” janë të rrezikshme dhe toksike, duke zbuluar një skandal mjedisor.

Pas këtij përfundimi, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masa sigurimi për 33 persona, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar 20 prej tyre.

Sipas akt-ekspertimit, materiali rezulton të jetë pluhur nga filtrimi i gazrave të furrave elektrike të çelikut, i klasifikuar si mbetje e rrezikshme me kod 10 02 07*, që paraqet rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore.

Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar.

Prokuroria konstaton se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe funksionarë shtetërorë, ka fshehur natyrën reale të mbetjeve, duke falsifikuar dokumente dhe duke tentuar eksportimin e tyre në shkelje të rëndë të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij hetimi, janë lëshuar masa sigurimi për drejtues të kompanive, agjentë doganorë, punonjës të Doganës së Durrësit dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për vepra penale që përfshijnë kontrabandën, menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për disa akuza, nga “Kondrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” të pastrimi i “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale” që rëndojnë kryesisht ndaj administratorëve të kompanive të përfshira në këtë rrjet, deri te “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” apo “shpërdorimi i detyrës” për zyrtarët e Doganës dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Hetimet nisën në korrik 2024, pas një njoftimi nga OLAF, që sinjalizonte për një ngarkesë të dyshimtë me destinacion Tajlandën.

U zbulua se subjekti kishte eksportuar 2.816 ton mbetje në 102 kontenierë, të cilët u kthyen në Portin e Durrësit pasi u refuzuan nga autoritetet tajlandeze.

Ngarkesa u sekuestrua dhe u dërgua në Porto Romano, ku iu nënshtrua ekspertimit të specializuar në laboratorë në Itali.

Ndërkohë për 13 persona të tjerë, Prokuroria sqaron se vijon kërkimi nga ana e policisë, me akuzën për për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë.

Kontejnerët me mbetje ndërkohë vijojnë të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos dhe ende nuk dihet se çdo të bëhet me to, si do të asgjësohen dhe ku, pas përcaktimit të tyre si mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Masat e sigurisë për 20 persona

-M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;

-J. K., 49 vjeç, I. L., 55 vjeç dhe H. L., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, E. V., 59 vjeç, Sh. J., 55 vjeç, të dy banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim;

-R. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-Sh. H., 39 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim;

-N. B., 58 vjeç, dhe A. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-K. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-I. M., 47 vjeçe, banuese në Durrës; M. P., 37 vjeçe; A. D., 46 vjeçe; K. S., 34 vjeçe; B. T., 40 vjeçe dhe E. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-M. Z., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve:

-E. D., 46 vjeç; Y. K., 46 vjeç dhe H. S., 42 vjeç, banues në Turqi; M. I., 43 vjeç banues në Vlorë; A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë; M. K., 68 vjeçe, banuese në Tiranë; P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan; Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës; D. S., 43 vjeç, banues në Tiranë; D. S., 57 vjeç, shtetas kroat; Gj. S., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë; O. P., 40 vjeçe, banuese në Lushnje; dhe I. H., 61 vjeç, shtetas gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë