Nga Gazeta Si- Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbështet zbulimin dhe ndalimin e eksportit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme industriale në portin e Durrësit që ishin nisur nga Shqipëria me destinacion Tajlandën, duke theksuar kërcënimin global në rritje që paraqet trafikimi i paligjshëm i mbetjeve.
Hetimi filloi në vitin 2024 kur OLAF njoftoi autoritetet doganore shqiptare për një dërgesë të dyshuar se përmbante sasi të mëdha mbetjesh të rrezikshme të deklaruara gabimisht. Dokumentet e eksportit e përshkruanin ngarkesën si oksid hekuri. Megjithatë, analizat e mëvonshme laboratorike përcaktuan se ngarkesa, në fakt, përmbante një nënprodukt toksik të prodhimit të çelikut.
Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke Kurum, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. në korrik të 2024, është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit në shkurt, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve.
Organi i akuzës, theksoi se ekspertimi laboratorik ka provuar se mbetjet e transportuara me anijen “Moliva XA443A” janë të rrezikshme dhe toksike, duke zbuluar një skandal mjedisor.
Pas këtij përfundimi, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masa sigurimi për 33 persona.
Prokuroria konstaton se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe funksionarë shtetërorë, ka fshehur natyrën reale të mbetjeve, duke falsifikuar dokumente dhe duke tentuar eksportimin e tyre në shkelje të rëndë të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërsa oksidi i hekurit përdoret gjerësisht në aplikime të ligjshme industrial, siç janë materialet e ndërtimit dhe metalurgjia dhe në përgjithësi konsiderohet jo i rrezikshëm kur trajtohet siç duhet, disa mbetje të prodhimit të çelikut klasifikohen si materiale të rrezikshme pasi ato shpesh përmbajnë përqendrime të larta të metaleve të rënda. Nëse menaxhohen ose asgjësohen në mënyrë të papërshtatshme, ato paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin, duke përfshirë ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësore dhe ekspozimin afatgjatë ndaj toksinave për komunitetet aty pranë. Ky ishte rasti me dërgesën e identifikuar.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor të Shqipërisë, OLAF ndihmoi në koordinimin e veprimeve operative që parandaluan asgjësimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme jashtë vendit. Sipas OLAF, ky bashkëpunimi çoi në kapjen e ngarkesës dhe kthimin e saj përfundimtar në vendin e origjinës.
Deklarimi i gabuar i mbetjeve të rrezikshme mbetet një nga metodat më të zakonshme të përdorura në trafikimin e paligjshëm të mbetjeve. Duke i etiketuar në mënyrë të rreme mbetjet toksike si substanca jo të rrezikshme, operatorët kërkojnë të anashkalojnë kontrollet e eksportit, rregulloret mjedisore dhe kostot më të larta të trajtimit ose asgjësimit brenda Bashkimit Europian. Kjo praktikë jo vetëm që dëmton konkurrencën e drejtë, por gjithashtu zhvendos rreziqet mjedisore dhe shëndetësore në vendet e destinacionit.
Anija e ngarkuar qëndroi për më shumë se 3 muaj në det për t’u rikthyer në Durrës pasi Tajlanda e refuzoi. Asokohe pati protesta nga organizatat mjedisore si dhe u kërkua disa herë interpelancë nga opozita e cila e cilësoi si skandal, duke kërkuar që qeveria të mbajë përgjegjësi për ngjarjen.
Vetë Kryeministri Edi Rama tha se nuk mund të flitet për skandal për aq kohë sa nuk ka prova se mbetjet janë të rrezikshme.
Ndërkohë, Kompania Kurum International ka reaguar duke thënë se mbetjet që ishin nisur drejt Tajlandës, nuk janë nisur nga kompania “Kurum”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




