Ka mbërritur në Shqipëri trupi i pajetë i nëntetares 32-vjeçare Zarife Hasanaj, që humbi jetën mëngjesin e 6 majit gjatë një misioni të NATO-s në Letoni.
Familjarë të ushtarakes shqiptare kanë dalë në aeroport të presin vajzën e tyre që sot u kthye tragjikisht në një arkëmort.
Gjatë paradites në bazën Camp Adazi në Letoni u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.
Ndërkohë, pas kthimit nga Letonia ku u mbajtën ceremoni nderimi për ushtaraken shqiptare të rënë në krye të detyrës gjatë misionit, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi familjen e nëntetares Hasanaj, në Babrru.
Ministrja ka ngushëlluar familjarët, duke u ofruar mbështetjen e saj për çdo nevojë.
“Dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do keni mbështetjen tonë për çdo nevojë”, shprehet Xhaçka.
Nëntetarja Zarife Hasanaj është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Lajmin ministrja e Mbrojtjes ua dha personalisht familjarëve të ushtarakes.
Ndërkohë, nesër më 10 maj nga ora 10:00 – 11:30 në hollin e Pallatit të Kongreseve do të zhvillohen homazhet për nder të efektives së FA dhe në 11:45 – 12:30 do të zhvillohet ceremonia shtetërore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shtetit te Pallati i Kongreseve.
Zarife Hasanaj humbi jetën gjatë asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive të paplasura, gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ndërsa dy ushtarakë mbetën të plagosur, major Klodian Tanushi 39 vjeç në gjendje të rëndë dhe rreshter Julian Kapaj 41 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










