Futboll

Sarri jep dorëheqjen, Hysaj mbetet pa ‘mentorin’ e tij. Tare kandidat për trajner i përkohshëm

Gazeta Si – Trajneri Mauricio Sarri vendosi të japë dorëheqjen pas humbjes me Udinezen, e katërta radhazi për Lacion mes kampionatit dhe Championsit. Klubi ka marrë kohë dhe mbetet të shihet, nëse presidenti Klaudio Lotito do ta pranojë apo jo dorëheqjen e tij.

Kjo lëvizje e trajnerit duket se lidhet me kontestimin në ‘Olimpico’ dhe vendimin e klubit për një grumbullim ndëshkues për skuadrën. Megjithatë, në Romë po flitet për zëvendësuesit e Sarrit te Lacio dhe emrat e parë janë Tomazo Roki, Mirosllav Klose, Kristian Broki, Igor Tudor dhe Anxhelo Greguçi.

Kandidat është edhe Igli Tare, i cili e ka licencën e trajnerit dhe mund të kthehet te Lacio për ta drejtuar deri në fund të sezonit.

Situata ka precipituar orët e fundit. Gjithçka ndodhi pas një nate reflektimi, para një takimi me skuadrën. Një lamtumirë e paralajmëruar, por e papritur këto kohë. Rezultatet e fundit kanë ndikuar në zgjedhjen e Sarrit, por jo vetëm ato. Prej kohësh raporti mes klubit dhe trajnerit është ftohur, me mesazhe në distancë si për merkaton, ashtu edhe për objektivat e klubit.


Lacio mban vendin e 9-të në klasifikim, 11 pikë larg vendit të 4-t. Për zyrtarizimin e largimit të trajnerit pritet vetëm përgjigja e klubit. Sarri ka ndërprerë një kontratë prej 4 milionë eurosh në sezon, të vlefshme deri në 2025-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë