Rreth 32 mijë maturantë iu drejtuan sot bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, sivjet testi ka qenë vetëm me pyetje alternative. Kanë qenë 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë.
Sipas autoriteteve të arsimit, nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë testi do të jetë me pyetje me alternativa. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Ndërkohë nuk ka pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u shtjelluar. Kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.
Pandemia ka bërë që të ketë ndryshime edhe në mjediset ku është kryer provimi. Maksimumi i nxënësve për klasë ka qenë 15 dhe janë mbikëqyrur nga një koordinator.
Pas izolimit nga pandemia e Covid-19, maturantët u kthyen në shkollë më datë 18 maj, duke ndjekur masa e distancimit fizik dhe higjienës personale. Ndërkohë Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Besa Shahini ka theksuar edhe më parë se programet mësimore që nxënësit maturantë kanë marrë online, pra gjatë izolimit, nuk do të jenë në provimet përfundimtare.
Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore do të vazhdojë më datë 11 qershor me gjuhën shqipe, me matematikën më 15 qershor, për ta përmbyllur me lëndën me zgjedhje më datë 18 qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.












