“Turi çohu pi vorri na trego ka bahesh bre burrë?,” ishte vetëm një ndër pankartat në duart e maturantëve sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë që të rishikohet teza e provimit të Gjuhë-Letërsisë, të cilit iu nënshtruan këtë enjte. Fill pas këtij provimi ata kishin vendosur të protestonin duke kërkuar mundësinë e rivlerësimit të provimit, uljen e nivelit (cut-off) të vlerësimit dhe mosvlerësimin e pyetjeve jashtë programit mësimor.Maturantët kanë nisur edhe firmosjen e një peticioni, ndërsa paralajmërojnë bojkotin e provimeve të tjera nëse nuk marrin zgjidhje.
Por Ministria e Arsimit deklaroi se nuk i pranon kërkesat e maturantëve duke i rrëzuar ato, ndërsa maturantët thonë se nuk do të largohen nga protesta.
Me pankarta të ndryshme si “Turi shpëtoi, po ne?”, “Free shqipe Turi” apo “E ardhmja jonë vdiq bashkë me Patroklin” ata tregojnë se provimi nuk ishte i vështirë, por ishte tallje.
Një grup maturantëshi treguan Gazetës “Si” se në provim nuk kishte tema që masnin njohuritë për tre vite, por sipas tyre ishin tema që “masnin shansin që ke ti për të goditur në shenjë një alternativë qëështë e ngjashme me dikë tjetër”.
Pyetja kryesore për të cilën maturantët flisnin në protestë dhe ishin shumë të paqartë kishte të bënte me tekstin e mëposhtëm:

Elona dhe shoqet e saj që po qëndronin të mbështetura në murin rrethues të Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve tregojnë me tallje se duhet të kishin pritur për përgjigjen e Turit.
Elona e cila kishte mesataren 9 dhe që donte të vazhdonte për mjekësi tregoi se përgjigjet në këtë rast janë shumësubjektive, ndërsa përsa u përket njohurive gjuhësore në test ishin vetëm 6 prej tyre.
“Ne gjithmonë kemi mësuar se tek hartimi i tezës do të kishte një prozë dhe një poezi, ose një pjesë romani. Ne na kanë dhënë 2 poezi dhe të dyja në dialekt dhe nuk janë trajtuar aq shumë këtë vit, sidomos këtë vit që ishte gjendje e jashtëzakonshme. Ishte gjetur edhe autori më i vështirë Lasgushi, i cili është shumë filozofik për ne që kishim punuar me orë mangut për shkak të tërmetit dheCovid-19,” tregon maturantja, e cila është shumë e shqetësuar për uljen e mesatares.
Një grup tjetër maturantësh nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, i treguan Gazetës “Si” se nxënësit e kësaj shkolle që kishin dalë në protestë ishin ekselentë dhe me mesatare mbi 9.
Ata shpjeguan se atyre u ishte prezantuar një model teksti dhe supozonin që testi i djeshëm t’i përmbahej atij modeli. Njëra nga vajzat e grupit shprehet: “E ardhmja jonë nuk mund të varet as nga jeta e Turit dhe as nga jeta e askujt. Konsultimet kanë funksionuar dhe ne kemi punuar me atë lloj modeli që ministria publikoi por në momentin që ne hymë në provim pamë se asgjë nuk kishte lidhje me modelin e përcaktuar. Ne nuk mund të varemi edhe as nga Besa Shahini se ashtu dëshiron ajo”
Me thirrje të ndryshme si “Ministria e turpit” apo “Dil Frikacake” maturantët kërkuan të futeshin në ambientet e Ministrisë së Arsimit, por u përballën me forcat e policisë. Ata treguan për mediat se nuk kishin ardhur për të bërë vandalizma, por për të kërkuar të drejtat e tyre.
Maturantët treguan se kishin mbështetje edhe nga mësuesit për faktin qësipas tyre testi ishte i pakuptimtë. Por Maria, një tjetër maturante, mban në duar një pankartë që tregon rebelizmin ndaj të gjithë sistemit në përgjithësi. Në pankartë shkruhet:“U fuck-ofshi nga homosapiensi deri tek 100 nipi, të gjithë mësuesit e letërsisë që morën pjesë në telebingon e provimit të maturës”.

Ajo i tregoi Gazetës “Si” se kyështë një mesazh për mësuesit që luajtën me maturantët.
“Të luash me një maturant qëpërveç stresit që ka se çfarë shkolle do vazhdojë dhe si do dalin provimet, të vazhdosh dhe të tallesh në kuptimine plotë tëfjalës… mendoj se duhej një mesazh për t’u sensibilizuar jo vetëm sot për sot, por shpresoj që ta mbajnë mend sa të jenë gjallë. Provimi i letërsisë nuk ishte provim letërsie dhe ishte një olimpiadë inteligjence që bëhet në universitetet e mëdha si Oxford, ku jepej një shpellë dhe si mund ta tregosh që kjo shpellë ishte e madhe.Unë nuk e di se çfarë kanë ndërmend ata që e kanë shkruar, por unë personalisht e tregoj me një foto, dikush tjetër e tregon që është e madhe me një diagram. Kishte dhe pyetje të tipit Turi, e Orinda dhe nuk e di. Administratorët nuk i përkisnin lëndës dhe nuk mund të jepnin një shpjegim dhe mendoj se shpjegimin duhet ta marrim sotdhe sa më shpejt të jetë e mundur, që të mos të digjet e ardhmja jonë,” shprehet Maria, 18-vjeçarja me mesataren 9.7.
E zhgënjyer maturantja i tha Gazetës se nuk mund tëketë më shkollë për maturantët, sepse nuk mund të vazhdojnë më tej kur po u bëhet padrejtësi që në gjimnaz. Ata shprehen mosbesues për shkollimin e tyre më tej.
Ndërkohë Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi deklaroi se testi është i mbështetit mbi programin e reduktuar.
“Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, nënvizojmë se nuk ka asnjë pyetje jashtë këtij programi. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpërndarjes së peshave të pikëve në test. I gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët,” u shpreh Vrapi.
Deklaratën e ka mbështetur edhe Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini e cila është shprehur që maturantët janë të nxitur nga opozita e cila stimulon “lehtësimin” e dhënies së notave për nxënësit.
“Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – Pa temat që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë,” ka shkruar Ministrja Shahini në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
















