Njerez

Matanë banakut shqiptarët duan bartender burrë

Nga Gazeta Si – Matteo Ciarpa dhe Valentino Creatura, dy përfaqësuesit e Kokteil-barit të parë në botë, ‘Paradiso’, ishin të pranishëm në Shqipëri me një Masterclass, i pari i këtij lloji në vend.

Pjesë ishin shumë të rinj, shumica prej tyre meshkuj dhe bartender. Por sigurisht nuk munguan as bartender vajza dhe njerëz që me pijen i lidh vetëm dashuria që kanë për të.

Eljana Gjana, kryebartender 22 vjeçe, tregon për Gazetasi.al se ka katër vite që ka filluar punë si bartender, me vështirësi që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

“Është shumë e vështirë të jesh bartender në Shqipëri. Nuk llogaritesh fare”, thotë Gjana e cila shton se ka pasur vështirësi pikërisht sepse është femër dhe vazhdon të ketë vështirësi për këtë fakt, vështirësi që kryesisht i krijojnë shqiptarët.

“Shqiptarët duan alkool nga dora e një mashkulli sepse vazhdojnë të mendojnë se femrat nuk janë mjaftueshëm të afta për të bërë një kokteil. Më ka ndodhur që kam qenë vetëm unë në banak dhe kanë ardhur më kanë thënë “ku është bartenderi, të vijë bartenderi” edhe pse e kanë parë se jam vetëm unë në banak”, thotë 22-vjeçarja.

Ashtu siç vihet re edhe nga pjesëmarrja e ulët në Masterclass, Gjana thotë se baristet femra janë shumë të pakta në numër në Shqipëri.

“Njoh bariste që janë tek pjesa e kafeterisë por tek pjesa e alkoolit nuk ka shumë. Me sa di unë, jam e vetmja kryebariste. Vajzat më shumë fokusohen tek pjesa e kafeterisë, jo e jetës së natës. Mendoj se është diçka që ka të bëjë me dëshirën. Unë punën që e bëj e kam zgjedhur me dëshirë dhe e bëj sepse e dua”, thotë Gjana.

Por, ajo që Gjana ka vënë re është se vitet e fundit klientët kanë filluar ti japin më shumë rëndësi këtij profesioni. Njerëzit tani e vlerësojnë një bartender që në momentin që ulen në banak.

“Kokteilet nuk i njohin shumë por janë gjithmonë gati për të eksploruar dhe kjo është diçka e mirë pasi nuk e kanë problem asnjëherë të provojnë diçka të re”.

Bartender mund të punojë kushdo që e do dhe e njeh alkoolin, dikush që është kreativ dhe është gjithmonë gati të mësojë diçka të re.

Gjana thotë se me këtë Masterclass kuptoi se është në ‘pikën zëro’ edhe pse ka filluar tashmë të krijojë kokteile të sajat.

Pjesë e këtij Masterclass-i nuk ishin vetëm bartender dhe persona që punojnë në bare. Ishin edhe njerëz që e duan pijen.

“Pashë edhe klientë që ishin pjesë e Masterclass-it. Janë njerëz që e duan pijen dhe janë gjithmonë gati për të eksploruar”, thotë Gjana për Gazetasi.al.

Paola Elmazi, 22 vjeçe ka filluar të punojë bartender që në moshën 14-vjeçare. Ajo tregon për Gazetasi.al se ka punuar për një kohë në Amerikë dhe më pas është kthyer në Shqipëri për të punuar në një nga baret e Tiranës.

Ajo thotë për Gazetasi.al se ka shumë ndryshim të punosh bartender në Amerikë dhe të punosh në Shqipëri.

“Në Shqipëri ka shumë bartender më të mirë dhe më të aftë por nuk vlerësohen sa duhet ndërkohë që në Amerikë është e kundërta”, thotë Elmazi, duke shtuar se ky Masterclass është shumë i vlefshëm për të gjithë, jo vetëm për bartenderat.

“Shpresoj të ketë më shumë ngjarje që të njihen më shumë bartenderat dhe për pasojë të vlerësohen më shumë”.

Paradiso është një nga kokteil-baret më të famshëm në botë që ndodhet në Barcelonë dhe është kokteil-bari më i mirë në botë sipas vlerësimeve.

Kleantino Goga, presidenti i Shoqatës së Bartendërve në Shqipëri tregon për Gazetasi.al se ardhja e ‘Paradiso’ në Shqipëri është shumë e rëndësishme për shkak të inovacionit, teknologjisë së re dhe menusë së re që ata kanë.

“Masterclassi ka rëndësi shumë të veçantë. E para është se ne po sjellim kokteil-barin e parë në botë dhe kemi mundësinë të gjithë ne dhe ndoshta ata që nuk shkojnë dot në Barcelonë të provojnë kokteilet e menusë së tyre”, thotë Goga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë