Janë djegur gjatë natës dy makina në pronësi të kryetares së PD në Ulëz, Gjelina Kalthi.
Dy makinat në pronësi të kryetares së PD Ulëz, njëkohësisht administratore e kësaj njësie për Bashkinë Mat, Gjelina Kalthi janë shkrumbuar nga flakët pranë banesës së saj.
Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet, ndërsa dyshohet që zjarrvënia të jetë e qëllimshme.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur provat për identifikimin e autorëve.
Ndërsa, Kalthi mendon se gjithçka ka qenë një skenar politik dhe se ndihet e rrezikuar për jetën.
“Kam qenë dje në kryesinë e PD në Burrel me bashkëshortin. Pasi mbaruam mbledhjen në njësinë administrative Baz ndaluam për të darkuar së bashku me një kushëri. Në mesnatë, rreth orës 00:00, shkuam në shtëpi në Ulëz dhe parkuam makinat si gjithmonë. Aty na bëri përshtypje që para pallatit nuk kishte asnjë makinë tjetër të parkuar. Kjo na bën të mendojmë që është një skenar i përgatitur politikisht dhe ndihemi të rrezikuar për jetën”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Partia Demokratike në një njoftim për mediat e cilëson djegien e dy makinave të kryetares së PD-së në Ulëz si një sulm banditesk nga ana e qeverisë, për shkak të faktit që ajo vinte për të protestuar.
“I vetmi shkak i këtij sulmi banditesk është fakti se me këto dy makina, familja Kalthi ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestë, duke shoqëruar edhe qindra qytetarë të tjerë protestues nga Ulza.
Postblloqet policore në rrethin e Matit kanë identifikuar makinat si “transportuese” të protestuesve nga Mati në Tiranë dhe mbrëmë, në mes të natës, si hajdutë e banditë, kanë realizuar aktin kriminal”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
PD zotohet se drejtësia në këtë vend do të vijë shumë me largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Një ditë, në këtë vend drejtësia do të vendoset dhe para drejtësisë, me Edi Ramën, do të vendosen dhe bandat e banditët që realizojnë akte të tilla, që synojnë intimidimin dhe frikësimin e kundërshtarëve politikë të regjimit kriminal të Edi Ramës.
Bandat e Edi Rames, betejën me demokratët e qytetarët e Matit e kanë të humbur”, thuhet më tej në deklaratë.
PD thekson më tej se qytetarët do të vazhdojnë të protestojnë për kauzën e tyre.
“Familja Kalthi, bashkë me qytetarët e tjerë të Ulzës, do të jenë edhe nesër në protestë, para kryeministrisë, në orën 19.00
Malësorët e Matit nuk i nënshtroi dot Enver Hoxha, ata nuk do t’i nënshtrojnë dot as banditët e drogës e të hashashit, në shërbim të kryeministrit ilegjitim të Avdylajve”, përfundon deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




