Ana e errët

Hajdutët me maskat anti-Covid/ Shtohen vjedhjet në rrugë, dyqane dhe autobus

Gazeta “Si” solli pak ditë më parë dy raste të grabitjeve që realizohen nga hajdutë që tanimë fshihen pas maskës anti-Covid. Por zyrtarë të policisë së rendit pohojnë jozyrtarisht se kjo mënyrë grabitjeje në rrugë, ku zakonisht rrëmbehen varëse, telefona apo çanta, është kthyer prej ditësh në një shqetësim akut për policinë.

“Në dyqan hyri një mashkull, i veshur me pantallona të zeza, bluzë të kuqe. Në kokë mbante një kapele të zezë si dhe në fytyrë mbante një maskë nga ato të anti-covid 19”, thotë në procesverbalin e dëshmisë B. L, një 22-vjeçare që punon në një dyqan parfumesh tek ish Shallvaret. Policia shkruan se e reja e la telefonin personal mbi banak dhe kur grabitësi hyri në biznes, ajo po merrej me sistemimin e rafteve. Personi që hyri dhe i mori telefonin, nuk u arrit të njihej prej saj, duke qenë se ai mbante në fytyrë maskën farmaceutike. “I vështirë është identifikimi i të dyshuarit edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në këtë zonë”, shpjegon për gazetën Si një nga ekspertët që ka kërkuar të merren kamerat e bizneseve. Ajo që shikohet është se hajduti ecën gjatë gjithë rrugës me maskë në fytyrë dhe është e pamundur të kuptohet identiteti i tij, veç faktit që ai është një person mashkull që përshkon trotuarin me duar në xhepa dhe që në asnjë moment nuk zbulohet të dhëna të fytyrës.

Përse është e rëndësishme?

Por, ndërsa policia ka regjistruar çështjen për vjedhje sipas nenit 134, pra për vjedhje të thjeshtë, burimet bëjnë me dije se janë kryer një sërë veprimesh akute. “Për shkak se hajduti përdor një maskë anti-covid në gjendje pandemie dhe për të bllokuar këtë formë vjedhjeje, kemi mbajtur shënim imein e telefonit të kallëzueses dhe i është dërguar kompanisë celulare për të gjurmuar nëse nga ky aparat do të kryhen apo jo telefonata”, shpjegoi eksperti i policisë, që shton se vjedhjet me maskat farmaceutike janë kthyer në një problem shqetësues.

Hajdutët ordinerë

Por kush i përdor maskat anti-covid? Bëhet fjalë për hajdutë që rrëmbejnë varëse në rrugë dhe më tej largohen me shpejtësi. Kur B. Xh. zbriti nga autobusi edhe vetë mbante në fytyrë një maskë kundër infeksionit. Më pas, ai tregoi pranë komisariatit numër 3. “Një djalë i ri u përplas me sup me mua, u tremba duke qenë se distanca është e rëndësishme. Por ai kishte maskë në fytyrë dhe kjo më qetësoi. Më pas kontrollova xhepat, më kishte vjedhur telefonin”. I moshuari shtoi se nuk ishte aspak në gjendje të zbulonte tipare të hajdutit që pavarësisht kësaj sipas tij”, ishte disi i shkurtër dhe ndofta i ri në moshë”.

I mituri me maskë

Administrimi i dy kamerave të sigurisë pranë një supermarketi nuk i vlejtën aspak policisë në rastin e identifikimit të të miturit E. P, që hyri në objektin ku tentoi të vidhte i veshur me një xhup gri dhe me një kapuç gri e maskë farmaceutike. Ndonëse ai nuk identifikohej nga këqyrja e CD, fëmija u zbulua nga gjurmët që la shoku i tij I.L po ashtu i mitur. Administratori shpjegon në polici. “Në orën 23.35 ra alarmi i sigurisë, kërkova informacion nga  shoqëria e sigurisë private dhe pas pesë minutash më informoi se ishte shqyer dera e kanatës së jashtme. Mbërrita dhe konstatova se vetrata e xhamit ishte thyer tërësisht”. Policia shpjegon se ky shtetas së bashku me punonjësit e sigurisë vërtetuan se veç dëmeve, kamerat tregonin dy fëmijë të seksit mashkull me kapuça me maskë anti-covid. “Pasi ushtrojnë forcë dhe thyejnë vetratat, ata largohen me rënien e alarmit, ata nuk arrijnë të hyjnë në objekt për të vjedhur”, përshkruan agjenti i policisë mbi detajet e vjedhjes, që fatmirësisht u parandalua nga alarmi dhe u zbardh nga fakti që fëmijët e skeduar u zbuluan nga gjurmët e gishtave përderisa ishin të skeduar si të tillë nga komisariatet e kryeqytetit.

Pak më tepër kujdes

Sipas forcave të rendit, ngjarje të tilla po kthehen në shqetësim në zonën e Yzberishtit, në zonën e Freskut dhe po ashtu edhe në Kombinat. “Janë hajdutë që është e vështirë t’i përshkruash pasi që pamja e tyre mbulohet krejtësisht nga maska anti-covid. Qytetarët duhet të bëjnë kujdes, nuk duhet t’i mbajnë aparatet në vende të dukshme, edhe telefonat apo kuletën”, këshillon një zyrtar i Policisë së Rendit pranë Drejtorisë Qendrore, duke shtuar sidoqoftë qytetarët që për çdo rast sulmi të mos hezitojnë, por të kërkojnë ndihmë në numrin pa pagesë me njoftime që do të sillnin reagimin e shpejtë të policisë dhe për rrjedhim kapjen e hajdutëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë