Me fillimin e punës pas festave të fundvitit, administrata publike, institucionet dhe kompanitë publike por edhe ato private janë përballur me mungesa të shumta të punonjësve për shkak të infektimit me Covid.
Burime për gazetën "SI", thanë se në datën 5 janar shumë zyra kanë qenë bosh për shkak se punonjësit kanë rezultuar pozitivë, madje disa prej tyre kanë kaluar simptomat e Covid dhe gjatë festave në dhjetor dhe aktualisht janë të detyruar të qëndrojnë 14 ditë në shtëpi.
Për këtë arsye, bazuar në rregulloren e brendshme të institucioneve, prej ditës së premte, 7 janar, rikthehet vendosja me detyrim e maskës në ambientet e mbyllura.
Sipas informacioneve që mësoi në rrugë konfidenciale gazeta "SI", në rast konstatimi të shkeljes së rregullores, parashikohen masa deri në heqjen e ditës së punës për çdo punonjës që nuk do të respektojë rregulloren.
Burimet bëjnë me dije, se ditën e mërkurë, kur nisi zyrtarisht punën administrata, rastet e deklaruara me Covid kanë ardhur në rritje. Shkak janë bërë dhe festimet me rastin e festave të fundvitit, por dhe grumbullimet në ambiente të mbyllura, pa ruajtur distancimin fizik dhe vendosjen e maskës.
Edhe gjatë mbledhjes së të enjtes të Komitetit Teknik për menaxhimin e pandemisë u diskutua për zbatimin rigoroz të masave që parandalojnë përhapjen e Covid, siç është distancimi social dhe mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura.
Gjatë diskutimeve në mbledhje, shumica e anëtarëve të Komitetit kanë sugjeruar ndalimin e mbajtjes së maskave prej materiali copë dhe mbajtjen e maskave klinike që kanë një mbrojtje më të lartë ndaj Covid.
I kontaktuar nga gazeta "SI", një nga ekspertët e njohur të shëndetit publik, Alban Ylli tha se në Shqipëri vijojnë të mos respektohen rregullat e mbrojtjes nga Covid. Sipas tij, ky problem konstatohet jo vetëm në markete, qendra tregtare, por dhe në spitale e qendra shëndetësore ku pacientët kërkojnë ndihmë mjekësore pa mbajtur maskat.
"Është e çuditshme, por tek ne nuk është respektuar asnjëherë mbajtja rigoroze e maskës në ambiente të mbyllura, madje dhe në spitale", thotë epidemiologu Alban Ylli.
Duket se mbajtja me detyrim e maskës është zbatuar vetëm në banka por dhe aty, vetë specialistët e këtij institucioni nuk i mbajnë ato, ndërsa në universitetet publike as që bëhet fjalë të mbahet maska në leksione. Përjashtim bëjnë disa universitete private që kanë në fokus degët e mjekësisë.
Ekspertët thonë se Shqipëria pritet të përballet me rritje të rasteve me Omicron, i cili është varianti më i ri i koronavirusit që paraqet transmetim disafish më të shpejtë sesa variantet e tjera, por fatmirësisht me rrezikshmëri më të vogël në shëndet.
Gjithsesi, infektimi i lartë ndër njerëz e bën këtë variant problematik pasi simptomat e tij nuk janë aq të thjeshta, ku dominon temperatura e lartë dhe dhimbjet e trupit. Ekspertët bëjnë apel që të mos neglizhohen këto simptoma që në pamje të parë ngjajnë me gripin sezonal, por të kryhen analizat e gjakut apo testi i shpejtë me qëllim identifikimin e Covid dhe nisjen e mjekimit specifik në këtë rast.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.