Lajme

Mashtronte dhe ushtronte presion ndaj qytetarëve, arrestohet avokati në Fier

Policia e Fierit ka ndaluar një avokat, i cili ishte i shpallur në kërkim për “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi K. Xh., 30 vjeç, banues në Fier, me profesion avokat.

Siç njofton policia, ai është ndaluar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

30-vjeçari gjatë kohës që ka qenë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonte presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.

Materialet proceduriale i kaluan SPAK për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë