Gazeta Si – Gjithsej 13 persona u arrestuan, ndërsa 5 të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë, si pasojë e një aksioni policor në Elbasan ndaj një “Call Center”-i, ku ushtrohej veprimtari e paligjshme.
Policia thotë se këta persona mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë, për të investuar në bursa fiktive. Në lidhje me ngjarjen është shpallur në kërkim edhe administratori i “Call Center”-it.
Gjatë operacionit “Fictitious”, u sekuestruan 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR. Sipas policisë, këta persona telefononin të huaj, kryesisht italianë. Atyre iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit i bindnin që të investonin në bursën fiktive “Forex”.
“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe, A. C., 24 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim; nisi procedimi penal për shtetasit: J. L., D. Ç., M. L., Dh. Z., dhe L. T., për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. D., 45 vjeç, administratori i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.