Lajme

Mashtrimi te Fondacioni Besa/ 4 vetë lihen në burg, 800 të prekur nga kreditë

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 nga të arrestuarit për dhënien e kredive fiktive në fondin Besa. Në burg është lënë drejtoresha Albana Imami, Blertina Kanani, Mihal Hanxhari dhe Orkida Driza. Ndërkohë, masa e sigurisë “arrest shtëpie” është dhënë për Matilda Domin dhe Esmeralda Vason.
Sipas prokurorisë, Albana Imami, në bashkëpunim me sekserë dhe oficerë kredie, jepnin kredi fiktive, shumat e të cilave i përvetësonin vetë. Gjatë seancës gjyqësore, drejtoresha e filialit, Albana Imami, pranoi dhënien e këtyre kredive, por tha se nuk ka qenë e vetëdijshme.
Ndërkohë, një prej të arrestuarave, Orkida Driza, që sipas prokurorisë akuzohet si seksere, tha se është përdorur dhe për kredi aty ka çuar edhe fëmijët e saj.
Pas arrestimit të drejtoreshës së filialit të fondacionit, Albana Imami, u mësua se janë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë. Këtë e bëjnë të ditur burime pranë grupit hetimor që po e heton çështjen në fjalë prej një viti.
Siç njoftoi policia ditën e djeshme, është rreth 3.7 milionë euro shuma e përfituar nga skema e mashtrimit të filialit të fondacioni të kredidhënies. Nga goditja e grupit u vunë në pranga 7 persona, drejtoresha e fondacionit, sekserët, oficerët dhe ish-oficerët e kredive, ndërsa një tjetër u vu në kërkim.
Për të 8 punonjësit janë ngritur akuzat e “Skemës mashtruese dhe Piramidale” si dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Drejtoresha e filialit të fondacionit kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur, lëshonin kredi në mënyre fiktive dhe klientët që përfituan kreditë nuk paraqiteshin fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.
Ata paraqiteshin vetëm kur disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët. Në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Aktualisht hetimet po vazhdojnë për të parë nëse vlera shkoj përtej 3.7 milionë eurove të përfituara fiktivisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë