Ngjarje

Mashtrimi në rrjetet sociale, i marrin nga 1500 Euro për një vend pune në Gjermani

Disa kërkojnë partnerë në rrjetet sociale. Të tjerë rroba dhe aksesorë, kompjuterë e orendi shtëpiake, apo udhëtime. Të tjerë kërkojnë një vend pune. Por megjithëse rrjetet sociale na ofrojnë përherë e më tepër me okazionet e njëkohësisht me kursimin e kohës, njëkohësisht na ekspozojnë ndaj risqeve, ku më të rëndat janë mashtrimet dhe abuzimet. Gazeta Si po publikon historinë e një të riu që u mashtrua për një vend pune në Gjermani, pasi ishte informuar në rrjetet sociale se në këtë shtet ofronin vende pune të paguara mirë. Kallëzimi sipas burimeve u dorëzua në polici nga shtetasi P. D, i cili thotë se në janar 2019, u njoftua nga një agjenci përmes platformës Facebook se kërkoheshin inxhinierë në Gjermani. Denoncimi u dorëzua në fillim të këtij muaji, pasi i riu është zvarritur dhe gënjyer për një kohë të gjatë.

“Mora takim me stafin e agjencisë në Tiranë, të cilët më shpjeguan procedurën që do ndiqej dhe si fillim mu kërkua të paguaj 200 euro komision administrativ. Më treguan se kjo pagesë kryhej që të niste procedura”.

I riu i thotë policisë se brenda këtij muaji agjencia në fjalë e njoftoi se kishte ardhur kontrata nga Gjermania, dhe për këtë shkak ai ka paguar menjëherë shumën e kërkuar prej 1500 euro. “Brenda kësaj pagese agjencia më njoftoi se do niste procedurat për t’u paraqitur në ambasadë. Brenda javës më erdhi njoftimi nga ambasada se ishte caktuar takimi, por më pas agjencia më njoftoi se takimi ishte anuluar, pasi kishte shumë takime dhe aplikime”.

I riu pretendon në polici se që nga ajo ditë, agjencia e denoncuar me gjithë kohën që ka kaluar nuk i ka dhënë më asnjë shpjegim as për lekët e paguara dhe as se përse takimi nuk u realizua.

Por kallëzimet sipas policisë për mashtrime të tilla nga agjenci të ndryshme janë të pafundme shpjegon një burim i gazetës Si.

E. D, një tjetër inxhinier ndërtimi tregon në polici se si u mashtrua.

“Mësova në facebook se agjencia ndihmonte për vende pune në Gjermani pasi aty kërkoheshin inxhinierë. Pagova 1500 euro dhe më dhanë të firmosja një dokument po më pas ata nuk më dhanë asnjë shpjegim se çfarë po ndodhte dhe se përse nuk më kërkuan në ambasadë”.

A. S. po ashtu i mashtruar dorëzon në fillim të dhjetorit një kallëzim në polici ku tregon se si pagoi 1700 euro dhe se si asnjëherë nuk iu vu në dispozicion axhenda se çfarë do ndodhte me të dhe kur do largohej drejt një jete më të mirë.

“Agjencia pasi i pagova përgatiti procedurën, ambasada më njoftoi për takimin brenda javës. Por edhe agjencia më telefonoi dhe më paralajmëroi mos të paraqitesha pasi sipas tyre kishte fluks të madh aplikantësh dhe kishte rrezik të refuzohesha për vizë pune. I dërgova një email agjencisë me linkun e anulimit të takimit de agjencia bëri anulimin e takimit me ambasadën”.

I mashtruari thotë se është kontaktuar në muajt në vazhdim nga agjencia. “Më sollën një kontratë tjetër me një adresë tjetër të ndryshme nga e para dhe kësaj here kontrata kishte vulën e kompanisë në Gjermani, mbasi plotësohen dokumentet e nevojshme i dorëzova të gjitha së bashku me pasaportën në ambasadë”. Inxhinieri tregon se nga ambasada ju kthye përgjigje për dokumentet shtesë që duhet të paraqiteshin nga firma në shtetin gjerman.

“Mora një telefonatë nga agjencia dhe më kërkoi të kontaktoj direkt me kompaninë në Gjermani, dhe aty më bëhet ofertë totalisht ndryshe nga kontrata që kishte ardhur me postë”. I riu tregon se mes shumë paqartësive dhe mos korrektesash nga ana e agjencisë, ka kërkuar të shkëpusë marrëdhëniet me “mashtruesit”, duke ju shkruar në email dhe duke kërkuar takime, por agjencia në Tiranë ka refuzuar të pranojë kërkesën dhe ende nuk i ka kthyer përgjigje.

Policia thotë për gazetën Si se kjo mënyrë po përdoret nga disa agjenci në Tiranë, që dyshohet se ofrojnë vende pune dhe që pas pagesave të kripura që përfitojnë nga qytetarë që kërkojnë të largohen, ata jo vetëm nuk ofrojnë shërbimin e kërkuar, por refuzojnë tu japin qytetarëve shpjegime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë