Duke filluar nga janari 2022, të gjitha automjetet që kalojnë Kontrollin Teknik, do të kenë të shënuar në certifikatë edhe kilometrat reale të tyre, duke shmangur kështu manipulimet e mundshme që mund të jenë bërë nga tregtarët.
Dukuria e uljes së shifrave të kilometrazhit në Shqipëri është kthyer në një praktikë, pasi makinat importohen kryesisht nga vendet europiane me qëllim rritjen e çmimit të tyre duke manipuluar kështu blerësin.
Por ky fenomen tashmë pritet të marrë fund. Në certifikatën e kolaudimit të automjetit do të përfshihet edhe numri i saktë i kilometrave totale që ka përshkuar një makinë.
Drejtori i Drejtorisë së Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka njoftuar se përveç kontrollit teknik të mjetit, do të bëhet edhe verifikimi dhe skanimi i kroskotit për të nxjerrë të dhënat reale të kilometrazhit. Kjo risi nuk do të ketë kosto ekstra, por do të jetë e përfshirë brenda tarifës ekzistuese për kolaudimin.
“Leximi i odometrit tashmë përfshihet në Certifikatën e Kontrollit Teknik të mjeteve rrugore! Kilometrazhi në momentin e kolaudimit, verifikimi me fishë për mjetet me të dhëna digjitale dhe skanimi i kroskotit janë sot pjesë pa pagesë e shërbimit! Kjo risi sjell dokumentimin e kilometrazhit, dekurajimin e spekullimeve në treg, nxitjen e mbajtjes së librave të shërbimit (nga autoriparues të ligjshëm) dhe mbrojtjen e konsumatorit, blerësit, sikurse frenojmë hyrjen në vend të mjeteve të tejamortizuara!”, – shkruan Gonxhe në një postim në Facebook.
Kjo praktikë do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm dhe Certifikata e Kontrollit Teknik do të ketë edhe historikun e kilometrazhit të makinave.
Gonxhe thotë se verifikimi për kilometrazhin e vërtetë do të verifikojë edhe mjetet rrugore të importuara “nëse nuk ka përputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri”.
Kështu, mjeteve rrugore që rezultojnë me ulje kilometrazhi do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real. “Nga janari 2022 në Certifikatën e Kolaudimit do të kemi edhe format historiku kilometrazhi”, – përfundon Gonxhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.