Rend dhe Ligj

Mashtrimi me “call center”-at, nga Tirana u kontaktuan mbi 2 milionë të huaj. ‘Truri’ i skemës një izraelit

Mbi 2 milionë shtetas të huaj janë kontaktuar nga kompanitë “call center” në Tiranë në një skemë mashtrimi, që ishte ideuar dhe organizuar nga një shtetas izraelit.

Rafael Genish, “truri” i zhvatjes së qindra mijëra eurove, është arrestuar së bashku me 34 persona të tjerë. Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar 20 persona të tjerë.

Policia thotë se kompania pas kësaj skeme mashtrimi, quhej “RG Capital”. Gjatë operacionit, autoritetet gjetën të dhëna personale të shumë shtetasve të huaj, që janë përdorur për t’i tërhequr dhe më pas për t’i mashtruar.

Personat e mashtruar nga kjo kompani janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshe të botës. Kompani e ushtronte këtë veprimtari kriminale prej vitesh.

Gjithashtu janë sekuestruar 123 kompjutera dhe pajisje të tjera të telefonisë dhe laptopë në funksion të “call center”-ave; 60 pajisje të telefonisë së lëvizshme; 3 laptop; 2 USB; karta të bardha të ngjashme me ato të bankave; një sasi e vogël lënde narkotike e llojit kanabis sativa.

Denoncimi nga qytetarët e vendeve të tjera, që kanë rënë pre e mashtrimit, bëri që autoritetet shqiptare të zbulojë skemën e mashtrimit.

Rreth një muaj më parë, policia finalizoi një operacion për mashtrimet kompjuterike me anë të “Call Center”-ave në Shkodër, ku u vunë në pranga 8 persona, të cilët më pas u liruan me maë sigurie detyrim paraqitje.

Këta persona, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga polaku Pawek Wziontek, i cili kishte rekrutuar si menaxherë disa shtetas shqiptarë.

Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palincencura.

Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë