Gazeta Si – Amant Josifi, ish-këshilltari i Olta Xhaçkës është arrestuar në Dubai, Josifi ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për mashtrim me anë të Call Centerave.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se Amant Josifi është vënë në pranë në kuadër të operacionit të koduar “Frida-Refox”.
“Në vijim të punës hetimore, gjurmuese dhe kërkimore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të përbashkët ndërmjet autoriteteve policore shqiptare dhe atyre spanjolle, u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A. J., – thotë policia. – Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell, Spanjë, me vendimin nr. 2, të datës 03.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.
Më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar.
Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Biznesmeni ka qene pjesë e një skeme që ka shkaktuar një dëm qytetarëve prej 2.4 miliardë euro, me qindra mijëra ‘viktima’ në mbarë botën.
Ai u shpall në kërkim në kuadër të një hetimi të shtirë në disa vende të Europës, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainë.
Mes klientëve që janë mashtruar është edhe një grua 80-vjeçare e cila ka humbur më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) duke investuar në kriptovaluta.
Përmes kompanisë “Mizu” dhe firmave të tjera, Josifi dyshohet se kishte ngritur një rrjet të gjerë mashtrimi me investimet e parave në bursat online.
Viktimat e Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, janë spanjollë, italianë dhe gjermanë, të cilët fusnin shumë të konsiderueshme financiare në aplikacionet online të ngritura nga Josifi, duke humbur paratë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.