Ngjarje

Masat anti-Covid vetëm në letër. Askush nuk të ndalon dhe nuk të kontrollon nëse je pa maskë si në biznese dhe urbanë

Ka kaluar rreth një javë që kur Komiteti Teknik i Ekspertëve përcaktoi se nëse qytetarët nuk mbanin maska nëpër autobusë, dyqane dhe qendra tregtare do të merrnin gjobë. Por duket se urdhri edhe këtë herë ka mbetur në letër si për individët, bizneset, por edhe për vetë institucionet rregullatorë që duhet të kontrollojnë zbatimin e këtij vendimi.

Në një vëzhgim nga Gazetasi.al vërehet se qytetarët janë të pakujdesshëm gjatë udhëtimit me transportin urban.

“Mbahet maska në surrat me gjithë këta njerëz brenda në autobus. Këtu të merret fryma pa maskë  e jo me një maskë sipër. Nuk ka çfarë na bën Covid-19 më se kemi marr vaksina,” tha një qytetare e linjës “Kashar-Qendër”.

Në këtë linjë përveç se qytetarët nuk mbajnë maska dhe janë të pakujdesshëm ndaj rregullave anti-Covid, ventilimi as që diskutohet. Çdo mëngjes, autobusi mbushet tej kapacitetit të lejuar dhe distanca sociale në këtë linjë nuk merret parasysh as nga qytetarët dhe as nga shoferi e faturinot.

Një tablo deri diku e njëjtë është edhe në autobusët e linjës së “Kombinat-Kinostudio” dhe të “Tiranës së re”, ku nuk ruhet as distanca sociale, por as nuk mbahen maska.

“Sa herë e këna kaluar Covid-19 ne këtu. S’kemi nevojë as për vaksinë më,” thotë një nga fatorinot duke nënqeshur.

Por pakujdesia ndaj virusit Covid-19 gjendet edhe në biznese. Në kryeqytet përgjatë zonave si “Rruga e Myslym Shyrit”, “Rruga e Kavajës” dhe “Rruga e Durrësit” të pakta janë bizneset që respektojnë protokollin anti-Covid.

“I kam dëgjuar lajmet, por pronarët nuk na kanë thënë gjë se duhet patjetër maska. Pastaj mendoj se duhet t’i mbajnë klientët më shumë,” thotë një shitëse në një dyqan çantash.

Pavarësisht përcaktimit të masave dhe mos zbatimit të tyre, një tjetër problem mbetet edhe kontrolli për zbatimin e masave. Gjatë vëzhgimit të Gazetasi.al në të tre linjat e monitoruara dhe nga komunikimi me disa biznese në Tiranë konstatoi se kontrolli për respektimin e masave anti-Covid është tepër i ulët.  Në lidhje me këtë problematikë, Areti Beruka nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i tha Gazetasi.al se në kryeqytet deri më tani janë marrë tri gjoba administrative dy në super markete dhe një në qendër tregtare.

Ndërsa kontrolli i qytetarëve në linjat e urbanëve është në dorë të Policisë Bashkiake. Gazetasi.al u interesua pranë Bashkisë së Tiranës dhe pranë Policisë Bashkiake por nuk mori një përgjigje.

Kjo gjë padyshim ka nxitur edhe mos kujdesin e qytetarëve dhe bizneseve të cilët e vetmja gjë që respektojnë është afishimi i protokollit të ISHP në xhamat e përparmë të dyqanit.  

Vendimet e ekspertëve nuk kanë ndikuar në popullatë, ndërkohë që shifrat e infektimeve dita-ditës janë të larta. Komiteti Teknik i Ekspertëve para një javë vendosi se do t mbetej në fuqi përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura dhe në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Ndërsa për bisneset gjoba e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë