Gazeta Si – Një banesë në lagjen “Guerrile”, në pronësi të një gruaje, e cila ndodhet jashtë shtetit, përdorej nga dy bashkëpunëtorët e Ragip Gilës si bazë për të ruajtur armët dhe municionin luftarak.
Policia e Shkodrës, thotë se ka shpallur në kërkim dy persona, njëri prej tyre i mitur, një ditë pas masakrës në qendër të qytetit, me 2 viktima dhe 2 të plagosur.
Në kërkim, janë shpallur Barush Bregu alias Bajram Bregu, 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Këta të fundit përdornin si bazë armatimesh banesën në pronësi të një gruaje e cila jeton jashtë vendit.
Në njoftimin për mediat këtë të martë, thuhet se u sekuestrua 1 automatik, 6 pistoleta, fishekë, 45 kapsolla detonatorë, një makinë tip “Audi” me targa të vjedhura në Lezhë, 5 dronë dhe 5 aparate fotografike.

Bregu njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, të shumëkërkuarit të shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës në vitin 2019 dhe vëllezërve Bilali në vitin 2021.
Në 2019-ën, FNSH dhe forcat “Shqiponja” e arrestuan Barush Bregun në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim për përplasjen e një automjeti të policisë në Shkodër dhe arratisjen nga vendngjarja.
Barush Bregu është një kontigjent i njohur për policinë. Po ashtu, në vitin 2016 ai është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov.

Ditën e djeshme Gila hyri në mes të një lokali në zemër të Shkodrës dhe qëlloi me automatik, duke vrarë Armando Palin dhe Liridon Krajën, e duke plagosur shënjestrën Erogen Vason dhe një kamariere të pafajshme.
Ai dëshmoi në polici e objektivi i tij ishte Erogen Vaso alias Brajoviç, me të cilin pretendoi se kishte pasur “një problem personal”.
Gjatë kontrollit, 29-vjeçarit i janë sekuestruar dy armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë), një skafandër, një maskë, një jelek antiplumb dhe një shishe me lëndë djegëse, si dhe automjeti që përdori për të ikur nga vendi i ngjarjes dhe një motomjet pa targë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



