Gazeta Si – Autori i dyshuar i vjedhjes së makinës tip “Range Rover”, e cila u përdor nga nga atentatorët për të kryer maakrën me 4 viktima në Dobraç, është arrestuar.
Burime nga grupi hetimor, shprehen se dy javë më parë, policia ka arrestuar personin që kishte vjedhur makinën, që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes në fshatin Golem të Shkodrës.
Arrestimi i tij është bërë në Shkodër dhe është mbajtur i fshehtë nga grupi hetimor, pasi mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e vrasjes. Mjeti rezultoi të ishte vjedhur në Durrës dhe ishte denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.
Autori i vjedhjes së makinës është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka dijeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment nuk ka pranuar të japë deklarime.
Dëshmia e tij konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen, me dyshimet se vrasja është kryer nga një grup kriminal.
Ngjarja ndodhi më 30 tetor të këtij viti, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati, dhe çifti i bashkëshortëve, Bashkim e Flutura Basha, të cilët po kalonin rastësisht me motor.
Pak ditë më parë, me dyshimin se nuk kishin kryer detyrën siç duhej, u arrestuan dhe më pas u liruan 4 efektivë të “Shqiponjave” të akuzuar për shpërdorim detyre.
Ata akuzohen se nuk kishin siguruar siç duhej ve din e ngjarjes dhe kishin lejuar të largohej prej andej një person i tretë, për të cilin dyshohet të ishte Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër, i kaloi për hetim SPAK-ut disa ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.