Rend dhe Ligj

Masakra në Memaliaj ende pa autor! Mbi 20 të shoqëruar, por asnjë i dyshuar për krimin. Kontrolle në të gjithë vendin

Banorët e Memaliajt u zgjuan të shtunën me lajmin e rëndë të vrasjes së tre personave dhe plagosjen e një tjetri teksa ndodheshin në një lokal të premten mbrëma, pas orës 23:00.

Plumbat që dyshohet se dolën nga tre armë, kapën atë që mendohet se ishte objektivi, 74-vjeçarin Shyqo Kalemin, por edhe dy persona të tjerë që nuk kishin asnjë lidhje me konfliktet mes fiseve Papa-Sadikaj, kamerierin e lokalit Gledio Muka 36 vjeç, dhe një nga klientët, Marsel Çela 47 vjeç. I plagosur mbeti edhe vëllai i Kalemit, i cili ndodhet në spital.

Por ndërsa kanë kaluar më shumë se 48 orë nga masakra, ende nuk ka asnjë autor për ngjarjen. Burimet tregojnë se deri më tani janë kryer mbi 25 kontrolle, ndërsa kupola e Drejtorisë së Përgjithshme, për ndihmë, është atashuar në Gjirokastër.

Kontrollet janë shtrirë në të gjithë vendin, dhe në “sitë” janë futur qytete si Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani, Lezha dhe Shkodra.

Deri më tani janë shoqëruar në komisariat rreth 20 persona, ndërsa pritet që të ketë akoma më shumë shoqërime, me persona që do merren në pyetje për ngjarjen.

Pas atentatit, në afërsi të Mallakastrës u gjet një mjet i djegur, me targa gjermane, e në brendësi të tij edhe tre armë që dyshohet se u përdorën në lumin e plumbave të lëshuar drejt lokalit.

Vrasja e trefishtë, që u mori jetën dhe dy personave të pafajshëm dhe që nuk ishin objektiv, dyshohet se vjen si pjesë e përfshirjes së Andrea Kalemit në sagën e hakmarrjeve të fisit Papa dhe fisit Sadikaj.

Andrea Kalemi, djali i viktimës Shyqo Kalemi dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022, që dyshohet se në qershor të 2022 ka vrarë me eksploziv në makinë eksploziv Aleksandër Sadikajn.

Sadikaj është kushëri i vëllezërve Kalemi, të cilët disa herë u kanë shpëtuar atentateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë