Gazeta Si - Ngacmimi dhe shantazhi me kërkesën për të bërë "foto nudo" ndaj vajzës së autorit Fiqiri Mjeshtri, dyshohet se u bë shkak i masakrës me 3 viktima, që ndodhi një ditë më parë në Klos të Dibrës.
Sipas dëshmive të familjarëve, dy kushërinjtë, 17-vjeçari Kenado Shira dhe Renato Hasula (djem tezesh) i bënin vazhdimisht presion vajzës së mitur të Fiqiri Mjeshtrit.
Mësohet se ajo prej disa ditësh nuk shkonte në shkollë nga frika dhe kjo gjë është vënë re nga i ati, i cili pasi e ka pyetur për gjendjen e saj, vajza i ka treguar të vërtetën.
Mesazhi anonim zbuloi historinë
Ishte një mesazh anonim në celularin e xhaxhait të vajzës që solli ndezjen e gjithë debatit mes dy familjeve. Në mesazh thuhej se dy djem po e tallnin dhe po shantazhonin mbesën e tij.
Më pas familjarët kanë mësuar historinë dhe kanë kërkuar që njëri prej dy djemve të martohej me vajzën e familjes Mjeshtri. Sipas TCH, në momentin që djemtë kanë kundërshtuar ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar.
Fatbardh Mjeshtri është shprehur se vajza e autorit, mbesa e tij u ka thënë se ka qenë e lidhur për disa muaj me 17-vjeçarin dhe se ishte një pëlqim, por ai më pas është zhvendosur në Durrës prej shkollës dhe kjo ka ftohur marrëdhënien mes dy adoleshentëve.
Por pas kësaj, ata kanë vijuar komunikimin me njëri-tjetrin. Dyshimet se vajza fliste me djem të tjerë, sollën që ai t’i kërkonte adresën e Instagramit që ta kontrollonte.
Flet vëllai i autorit: E kërcënuan vajzën me foto nudo
Fatmir Mjeshtri, vëllai i Fiqiri Mjeshtrit, autori që vrau babë e bir në Klos, ka deklaruar pas shoqërimit në polici, se kishin rreth një javë që donin të ulnin gjakrat e të gjenin një zgjidhje mbi konfliktit.
Sipas tij, Kenado Shira e ka kërcënuar vajzën në rrjetet sociale, duke i kërkuar foto nudo, pasi përndryshe do t’i publikonte disa foto që ai kishte shkarkuar nga rrjetet e saj sociale, duke parë se posedonte llogarinë.
"U munduam për më tepër se një javë që t’i ulnim baballarët e djemtë për të marrë vesh se përse e çuan vajzën e vëllait në depresion dhe për çfarë arsye Shira e ka kërcënuar, - tha ai për ‘Ora Neës’. – Vajza ka shkuar në spital në gjendje kome. Vajzës i bëhej presion në rrjetet sociale nga Shira. E ka kërcënuar se do ta shkatërrojë, duke i kërkuar foto", tha vëllai i autorit.
Fatmir Mjeshtri thotë se Hasulla nuk i bënte presion vajzës, vetëm se kishte mesazhet në celular. Ai tregon dhe bisedën që pati me Kenadon kur e pyeti se çfarë lidhje kishte pasur me mbesën e tij.
“Më tha se vajza i kishte bërë ftesë në Facebook dhe pas kësaj kishin folur aty, djali më tha se vajza i kishte kërkuar diçka tjetër. Vajza i kishte thënë se nuk e shihte më si shok, por ndryshe se ‘je një djalë bukurosh’. Shumë mirë i thashë, vajza nuk të ka ofenduar. E pyeta se çfarë i tha më pas dhe më tha se edhe ai kishte pëlqim për të. Po adresën i thashë, si ia more dhe më tha që ma dha vetë”.
Sipas Fatmir Mjeshtrit, “djali ia kishte bllokuar adresën vajzës dhe i kishte shkarkuar të gjitha fotot nga adresa, duke i ka thënë: ‘Po nuk bëre ato që të them unë, të më çosh foto nudo nga të gjitha format, unë do të hap fotot në rrjetet sociale dhe ty si femër do të të shkatërroj jetën’”.
Konflikti në lokal
Pasi kanë mësuar historinë, 39-vjeçari Fiqiri Mjeshtri, bashkë me dy vëllezërit e tij kanë shkuar të sqarohen me dy kushërinjtë adoleshentë, të cilët morën edhe prindërit e tyre me vete në lokal Eglantin Hasulën dhe Ilir Shirën.
Por ata fillimisht janë konfiktuar fizikisht dhe më pas ngjarja ka agravuar në përdorimin e armës, ku Fiqiri Mjeshtri ka qëlluar për vdekje Ilir Shirën dhe djalin e tij Kenadin, ndërsa janë plagosur baxhanaku i viktimës, Eglantin Hasula dhe i biri, Renato.
Takimi ndërmjetës ishte bërë një ditë para vrasjes. "Futesha unë që të zbutej sherri, pasi vëllai im ishte më i revoltuar. Një natë para, unë takova babain e djalin. I thamë çfarë borxhi të kemi dhe pse e bërë? Hajde ta rregullojmë që të mos shkojnë punët për keq, tregon Fatmir Mjeshtri. - Vëllai më tha ti çoja mesazh Ilirit: Çoji të fala dhe thuaji do të të vras çunin nëse nuk e merr për grua. Kujdes merri gjërat me serioizitet. Deklaratën e vëllait nuk e mora seriozisht që do të ndodhte. Vajza kaloi në depresion dhe më la shkollën“.
Për një moment është menduar se palët kanë arritur dakordësi, por dyshohet se viktima Kenado Shira ka shprehur fjalë fyese ndaj vajzës, ndërsa autori i krimit në tavolinë ka nxjerrë pistoletën, duke e qëlluar Kenadon të parin, më pas babain e tij Liri Shira dhe të tjerët.
17-vjeçari ka tentuar të dalë nga lokali por e ka qëlluar sërish duke humbur jetën në trotuar, ndërsa babai i tij ndërroi jetë, duke u transportuar në spital.
Vajza ka dëshmuar në polici se të dy djemtë Kenado Shira dhe Renato Hasula e kanë ngacmuar prej disa muajsh në rrjetet sociale dhe në rrugë dhe se ajo është ndjerë e shantazhuar.
Për këtë, ajo ka njoftuar familjen për të zgjidhur situatës, që rezultoi në një masakër me tre viktima.
Ndërkohë, dy vëllezërit e autorit të masakrës, Fiqiri Mjeshtri, i cili vrau veten pas krimit, janë lënë të lirë këtë të enjte nga ana e policisë.
Ata u morën në pyetje në lidhje me rrethanat, dinamikën dhe motivet e krimit të rëndë para se të liroheshin.
Fatmir dhe Besnik Mjeshtri kanë qenë së bashku me vëllain e tyre Fiqiri Mjeshtri, kur ky i fundit qëlloi me pistoletë, duke shkaktuar 2 të vrarë dhe 2 të plagosur.
Pas krimit, Fiqiri Mjeshtri shkoi në një zonë periferike jo shumë larg vendit ku shkaktoi masakrën dhe qëlloi veten për vdekje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.