Dosje

Masakra në ‘Don Bosko’, viktima u vra para syve të mbesës. Djali: Mallkuar qofshin ato plumba. Fqinjët: Bënte dy punë

Gazeta Si - Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila punonte si kameriere dhe banakiere, ishte në kohën dhe vendin e gabuar në lokalin ku ndodhi masakra në "Don Bosko", ku ajo mbeti viktimë dhe u plagosën pesë të tjerë.

Hetuesit thonë se Paja dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht nga breshëria e armës dhe të mos ketë asnjë lidhje me ngjarjen.

E lënduar nga ciflat e xhamit, mbeti edhe një vajzë e vogël 10-vjeçare, e cila është mbesa e viktimës dhe që kishte ardhur të shoqëronte gjyshen. Ajo ka rrëfyer të gjithë dinamikën e ngjarjes para hetuesve.

Paja jetonte me qira në rrugën “Skënder Kosturi” në lagjen “Don Bosko” vetëm pak metra larg lokalit ku ndodhi ngjarja.

Postimi i djalit të viktimës

Reagimi i djalit

Për vrasjen e Mimoza Pajës ka reaguar edhe djali i saj, i cili në një postim në Facebook shkruan: “Mallkuar qofshin ato plumbat që i zbrazën në trupin tënd qofsh e xhenetit mam”.

Objektiv i këtij atentati dyshohet se mund të ketë qenë pronari i lokalit, Fation Murati. Megjithatë, ky i fundit nuk ndodhej në ambientet e lokalit, pasi dyshohet të jetë larguar nga Shqipëria disa ditë më parë, duke thyer masën e sigurisë "arres shtëpie" për armëmbajtje pa leje.

Nuk përjashtohet as mundësia që objektiv të ketë qenë edhe një prej të plagosurve, ku nj◄ri prej tyre ishte xhaxhai i Fatjon Muratit. Të pestë të plagosurit mësohet se ishin ulur të gjithë në një tavolinë.

E gjithë kjo ngjarje e rëndë ndodhi në një kohë kur në lokal kishte disa klientë, të cilët po shikonin një ndeshje në televizor.

Flasin fqinjët: Ishte shumë e varfër, bënte dy punë

Për të siguruar të ardhura, përveç puns si banakiere, Mimoza Paja bënte edhe punë të tjera. Një prej fqinjëve të saj, me të cilën ishte dhe mikeshë, thotë për mediat se 58-vjeçarja punonte dy turne prej 16 orësh në lokalin ku humbi jetën.

“Ishte e varfër. Në lokalin ku punonte më parë, përveç punës që bënte, mblidhte edhe kanoçe. Mimoza punonte në lokal 16 orë, dy turne. Ishte e varfër, mblidhte kanoçe dhe i shiste. Ka lënë 4 fëmijë. Ishte e sëmurë. Punonte për copën e bukës. Ishte me qira. Më thoshte që kam 6 muaj pa paguar qiranë. Ka pas punuar edhe në një lokal tjetër në lagje si pastruese. Punonte dy turne tek puna e re”, u shpreh mikesha e Mimoza Pajës.

Ajon shton se Mimoza “ishte e sëmurë, ka tre vajza dhe një djalë. Ishte shumë varfër, ka vuajtur shumë. Mbesën që u plagosu, e kishte shumë për zemër, ishte vajza e vajzës”.

Ndërkohë, në shtëpinë ku Mimoza jetonte me qira janë hapur dyert e mortit. Trupi i saj do të përcillet sot pasdite në banesën e fundit

Makina e djegur që dyshohet se kanë përdorur autorët

Gjendet makina e autorëve

Mëngjesin e kësaj të hëne, një makinë është gjetur e djegur në zonën e Bubqit. Tre armë automatike u gjetën brenda makinës së djegur tip BMW që u konstatua në fshatin Likmetaj të Durrësit pranë urës së Sulë Meres.

Këto armë dyshohet se janë përdorur në atentatin e së dielës ku në një lokal në “Don Bosko” në kryeqytet u vra një grua dhe u plagosën 5 persona të tjerë.

Ndërkaq dyshohet se mbi dy persona ende të paidentifikuar kanë marrë pjesë në atentat, ku dyshimet janë se ata u afruan në këmbë në ambientet e lokalit duke qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas janë larguar me makinë.

Fatjon Murati, në lokalin e të cilit ndodhi ngjarja

Ndërsa të plagosur mbetën Astrit Meraj, 42 vjeç, Emanuel Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç dhe Sahit Murati, 50 vjeç. Ky i fundit është xhaxhai i Fation Muratit, i cili është edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Sakaq, Fation Murati është emër i njohur për lidhjet e tij me disa emra të njohur të botës si krimit, si Endrit Dokle apo Ramazan Rrahja.

Në tetor të vitit të shkuar, Murati u shoqërua në polici së bashku më Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Reçi.

Ai ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje. Në të njëjtën periudhë, autoritetet kërkuan sekuestrimin e pasurisë së Muratit.

Përpara se të vihej në pranga, Fation Murati kishte dhënë deklarime në komisariatin e Krujës edhe për masakrën e 3-fishtë tek mbikalimi i Fushë Krujës ku humbi jetën Brilant Martini, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë