Rend dhe Ligj

Masakra në ‘Don Bosko’, policia në gjurmë të autorëve: Kemi informacion për persona konkretë

Gazeta Si - Dhjetë ditë nga masakra në një lokal në “Don Bosko”, ku humbi jetën një grua dhe u plagosën 5 të tjerë, hetimet duket se janë në rrugën e duhur.

Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, thotë se autoritetet kanë arritur të sigurojnë edhe informacione për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Por ai nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.

“Policia ka informacione edhe për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japim detaje në këto momente”, tha Vocaj për ngjarjen e 12 marsit.

Hetuesit, shpresë të vetme kanë kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të përshkruar nga autorët si para dhe pas krimit.

Grupi hetimor, i cili zbardhi dhe dinamikën e ngjarjes, po verifikon dhe tabulatet telefonike të loguara në zonën ku ndodhi ngjarja, si përpara dhe pas vrasjes së banakieres 58-vjeçare, Mimoza Paja dhe plagosjes së 5 personave të tjerë.

Deri më tani asnjë prej të dhënave të përftuara nuk ka ndihmuar hetuesit për të rënë në gjurmët e autorëve të atentatit që si shkak dyshohet të ketë përplasjen mes grupeve kriminale mes të cilave bënte pjesë dhe pronari i lokalit, Fatjon Murati.

Për identifikimin e tyre, policia dhe prokuroria po verifikojnë një automjet që dyshohet se informoi vrasësit për lëvizjet në bar kafe.

Lokali ku ndodhi ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, një emër i njohur ky për Policinë e Shtetit.

Ky i fundit, edhe pse duhet të ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ka mundur të largohet para atentatit nga Shqipëria dhe aktualisht dyshohet të jetë fshehur në Turqi.

Sipas burimeve të prokurorisë, pista kryesore e ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja dhe përplasja për aktivitete të paligjshme mes grupeve kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë