Portofol

Masakra me HEC-et mbi natyrë. Kërkohet ndryshimi i ligjit për PPP-të

EcoAlbania ka dërguar një kërkesë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë për disa ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania) është një organizatë jo qeveritare mjedisore dhe e zhvillon aktivitetin e saj që prej vitit 2014 si një iniciativë e përbashkët e profesorëve të Departamentit të Biologjisë të Universistetit të Tiranës dhe ekipit “Save the Blue Heart of Europe” në Shqipëri.

EcoAlbania thotë se, duke përcjellë zërin e disa organizatave mjedisore, ekspertëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe banorëve të prekur nga zhvillimi i projekteve hidro-energjetike, në shkresën drejtuar Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka paraqitur shqetësimin dhe nevojën emergjente për ndërhyrje në paketën ligjore të koncesioneve, kryesisht lidhur me lejet e HEC-eve.

Planes e zhvillimit të veprave hidro-energjetike tregojnë se 540 hidrocentrale janë planifikuar për t’u ndërtuar në gjithë territorin e Shqipërisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve në zona të mbrojtura (rreth 61) dhe zona me potencial të lartë natyror.

EcoAlbania bën me dije se ka ndërmarrë një analizë të thellë të planeve, strategjive dhe legjislacionit kombëtar të sektorëve të energjisë, turizmit, mjedisit dhe ujit, në frymën e përafrimit të tyre me legjislacionin e BE. “Nga vëzhgimi dhe studimi i zbatimit në praktikë të kornizës komplekse ligjore që rregullon procedurat koncesionare në sektorin hidroenergjetik, ka rezultuar prania e një sërë problemeve gjatë realizimit të këtyre procedurave nga autoritetet publike. Në rrënjë të shumicës së problemeve qëndrojnë shume boshllëqe dhe konflikte në kuadrin ligjor në fuqi që rregullon në tërësi procedurat për koncesionet hidro-energjetike”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Sipas tij, kjo analizë është konkluduar me gjetje dhe rekomandime për ndryshime konkrete në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar si dhe ligjet e tjera që ndërveprojnë në fushën e koncesioneve hidroenergjetike. Konkretisht dokumenti përmban propozime për shtesa dhe ndryshime në ligjet:

  1. Ligji nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar;
  2. Ligji nr.10 440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”;
  3. Ligji nr. 10 448, datë 14.07.2011 “Për lejet e mjedisit”;
  4. Ligji nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar.

Gjetjet dhe rekomandimet për ndryshime janë konsultuar me komunitetet lokale, Organizatat e Shoqërisë Civile Mjedisore, institucionet lokale dhe aktorë të tjerë të interesuar gjatë forumeve lokale të organizuara nga EcoAlbania.

EcoAlbania dhe ekipi i ekspertëve thonë se synojnë diskutimin e tyre në Komisionet Parlamentare përkatëse dhe nxitjen e ndryshimeve ligjore në drejtim të përmirësimit të legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri.
EcoAlbania thotë se është angazhuar në nxitjen e nismës së shoqërisë civile për përmirësimin e legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri. “Ky angazhim synon të rrisë pjesëmarrjen aktive të publikut në vendimmarrje, në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë