Gazeta Si – Ministria e Brendshme shqiptare ka përgënjeshtruar lajmin e mediave greke që 6 viktimat e ekzekutuara me armë zjarri në Athinë të jenë shqiptarë.
Në një reagim për mediat, në lidhje me masakrën e ndodhur në lindje të Athinës pasditen e të hënës, MB shqiptare saktëson se personat e vrarë janë të kombësisë turke.
“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE”, thuhet në një reagim për mediat.
Lajmi u prapri nga “Kathimerini”, një nga mediat më të mëdha në Greqi, e cila shkruan këtë të martë se të vrarët janë me kombësi turke.
Βίντεο από το σημείο της δολοφονικής επίθεσης στη #Λούτσα – Οι πρώτες πληροφορίες κάνουν λόγο για έξι νεκρούς. pic.twitter.com/HFPgtskgHx
— Kathimerini_Web (@KathimeriniWeb) September 11, 2023
Kjo ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e viktimave. Autoritetet kanë kërkuar kryerjen e një analize ADN-je ndërsa po punohet edhe me gjurmët e gishtërinjve.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës në periferi të kryeqytetit grek. 6 viktimat u gjetën të ekzekutuar në një makinë me targa gjermane.
Mediat greke shkruanin se viktimat dyshohet se ishin shqiptarë, megjithatë kjo nuk ishte konfirmuar zyrtarisht. Paraprakisht masakra në fjalë dyshohet të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave.
Edhe targat gjermane të makinës së viktimave dyshohet se janë të falsifikuara. Hetuesit janë duke punuar për identifikimin e autorëve që besohet se janë larguar me një motor dhe një automjet Ford të zi.
Policia që në momentin e parë foli për “larje hesapesh” mes bandave kriminale. Madje, pretendohet se anëtarët e asaj që konsiderohet si “mafia e burgjeve” e përbërë nga shqiptarë dhe rumunë kanë pasur mosmarrëveshje për afera të paligjshme (drogë, zhvatje, etj.).
Për këtë kanë organizuar një takim sqarues ose një pritë për rivalët e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




