Gazeta Si – Makina tip “Range Rover” që shikoni në foto (e cila më pas u gjet e djegur në fshatin Golem), dyshohet të jetë përdorur nga autorët e masakrës në Shkodër, ku mbetën të vrarë 4 persona, mes tyre çifti i bashkëshortëve Basha krejtësisht të pafajshëm.
Edhe pse u dogj plotësisht pas ngjarjes, ekspertiza ka mundur të rikuperojë numrin e shasisë. Prej saj është identifikuar mjeti.
Makina “Range Rover Sport” është konfirmuar se është vjedhur në Durrës dhe është denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.
Sipas burimevejo zyrtare nga grupi hetimor, mësohet se makina e autorëve e ka ndjekur “Benz”-in që lëvizte Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person i tretë, i cili dyshohet se mund të jetë Ibrahim Lici, nga unaza perëndimore e Shkodrës, lagja “Kiras”.
Dyshimet janë përforcuar edhe më shumë, pasi në disa pamje të tjera, personi i veshur me të zeza shfaqet duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit dhe më pas zhduket pa asnjë gjurmë.
Vëllai i Hamza Licit, Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, dyshohet të jetë në Turqi, pasi ka kërkuar azil.
Më herët, autoritetet turke kanë refuzuar ekstradimin e tij në Shqipëri, me pretendimin se i rrezikohet jeta.
Megjithatë, për të verifikuar nëse ka qenë ose jo i pranishëm Ibrahim Lici, gjithçka mund të zbulohet nga hetuesit nga gjurmimi i kamerave të sigurisë.
Po ashtu, gjithnjë sipas burimeve, mjeti i autorëve, dyshohet se ka dalë nga një shtëpi e personave me të cilët ka konflikt fisi Lici.
Policia e Shkodrës akoma nuk e ka të konfirmuar se Ibrahim Lici ishte në makinë në momentin e atentatit, pasi rezultatet e analizave të materialeve biologjike nuk kanë mbërritur akoma, por dyshimet janë të forta për praninë e tij.
Kontrollet në disa klinika private kanë rezultuar pa sukses, pasi hetuesit dyshojnë se në këtë ngjarje Ibrahim Lici ka mbetur i plagosur dhe mund të ketë kërkuar ndihmë mjekësore.
Nga atentati në Dobraç të Shkodrës humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët udhëtonin me një makinë tip “Benz” me targa kroate.
Pas të shtënave që zgjatën për rreth 300 metra, Lici dyshohet se humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një motor ku udhëtonin çifti Bashkim e Flutura Basha. Gruaja humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u nda nga jeta pas 5 ditësh betejë me vdekjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.