Gjykata e Vlorës ka vendosur për masakruesin e fshatit Resulaj, Ritvan Zykajn, masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ritvan Zykaj mbërriti sot para Gjykatës në orën 11:00 për t’u njohur me vendimin e tij lidhur me masën e sigurisë për të cilën rëndon akuza e “Vrasje e cilësuar e dy ose më shumë personave”.
Nga pamjet Zykaj u duk mjaft i qetë dhe gjakftohtë si dhe nuk shfaqte shenja pendese për vrasjen e 8-fishtë.
Ndërkohë gjatë futjes së tij në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie dëgjohej thirrja: I pashpirt. Banorë të revoltuar të pranishëm në ambientet e Gjykatës kishin postera në duar me mbishkrime: Dënim me vdekje për kriminelët.
Mbi 15 avokatë refuzuan të mbrojnë Ritvan Zykajn. Me ndërmjetësim të kreut të gjykatës, u caktua avokati Renato Mehmetaj. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku të pranishëm ishin gjyqtarja Esmeralda Habilaj dhe prokurori i çështjes Saimir Smaka. Asnjë prej familjarëve të 24-vjecarit, i konsideruar si monstra e fshatit, nuk ishte i pranishëm në procesin gjyqësor.
Ritvan Zykaj është marrë në pyetje edhe nga gazetarët pse e kreu krimin, por gazetarët nuk marrin asnjë përgjigje, vetëm heshtje.
Zykaj vrau me kallashnikov disa ditë më parë tetë kushërinjtë e tij për motive të dobëta. Menjëherë pas kryerjes së krimit, 24-vjeçari u largua nga vendngjarja për t’u kapur nga policia 12 orë pas kryerjes së krimit.
Ngjarja e ditës së premte ishte ndër më të rëndat vitet e fundit në Shqipëri. Krimi makabër ka tronditur edhe mediat ndërkombëtare. Ajo që i kalonte kufijtë e imagjinatës ishte moshezitimi i tij për të përdorur rrjetet sociale, duke sfiduar edhe policinë.
Familjarët e tij kanë braktisur fshatin, ndërsa gjyshi i tij, Kujtim Zykaj, ka shkuar pranë familjes së vëllait të masakruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




