Nga Gazeta ‘Si’- Dymbëdhjetë persona u vranë në Cetinje të Malit të Zi, pas të shtënave me armë zjarri.
Autori i tragjedisë, Aco Martinoviç kreu vetëvrasje, konfirmoi prokurorja Andrijana Nastiç, shkruan Vijesti.
Martinoviç ekzekutoi katër persona në një bar dhe tetë të tjerë nëpër lokacione tjera, përfshirë anëtarë të familjes së tij.
Katër persona janë plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës. Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për motivet e mundshme të vrasjeve.
Drejtori i Administratës së Policisë, Llazar Shqepanoviç tha se Martinoviç më herët ka qenë duke pirë në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive.
“Informojmë publikun se ky është një incident i izoluar dhe nuk është rezultat i një përplasjeje midis grupeve kriminale të organizuara me rrezik të lartë. Për të zgjidhur këtë situatë krize, njësitë speciale të policisë janë dërguar në terren”, thuhet në deklaratën e policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanovic, tha gjatë një konference të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i ngjarjes është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviçit. Sipas tij, autori ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë , por nuk ishte konsideruar si person me interes për sigurinë.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiç e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme. Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve. “Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” ka thënë Spajiç.
Martinoviç ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme me një vit burg, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë.
Në vitin 2022, atij iu gjetën armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burg.
Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie kombëtare, më 2, 3 dhe 4 janar. Koncertet e organizuara me rastin e Vitit të ri në Podgoricë, Budva dhe Kotor u anuluan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.